Sporti

Kapiteni i Trepçës, Valdrin Haxhiu: Trofeu i Kupës së Kosovës për të tretin vit radhazi do të qëndrojë në Mitrovicë

02/16/2024 19:44
nga:Mergim Rreci

Sigal Prishtina dhe Trepça do të përballen në finalen e madhe në Kupën e Kosovës në basketboll.

Trepça e eliminoi Golden Eagle Yllin në gjysmëfinale, kurse Sigal Prishtina triumfoi ndaj Bashkimit, shkruan GazetaBlic Sport.

Finalja e madhe do të zhvillohet ditën e nesërme me fillim nga ora 17:00, me atmosferën që pritet e jashtëzakonshme edhe në tribuna.

Kapiteni i skuadrës së Trepçës, Valdrin Haxhiu është prononcuar për ‘GazetaBlic Sport’ para kësaj super përballje, duke deklaruar se do ta marrin shumë seriozisht këtë finale, por që janë të bindur se trofeu i Kupës për të tretin vit radhazi do të qëndrojë në Mitrovicë.

Normalisht, pozicioni në tabelë tregon automatikisht që ne jemi favorit, por çdo vit ndeshjet e kupës po sjellin befasi. Prishtina ka bërë ndryshime në ‘roster’ dhe tek pozita e trajnerit, e cila natyrisht pretendon fitoren, andaj ne do të hyjmë me seriozitetin më të madh në këtë finale, duke dhënë gjithçka.
Besoj në forcën tonë dhe me mbështetjen e ‘Torcidës’,  trofeu i Kupës për të tretin vit radhazi do të qëndrojë në Mitrovicë“, tha Haxhiu për ‘GazetaBlic Sport’.

Kujtojmë që në vitin e kaluar, Trepça e kishte mposhtur Sigal Prishtinën në finale të Kupës së Kosovës.

/GazetaBlic Sport/