FC Prishtina u rikthehet garave në BKT Superligën e Kosovës në futboll, pas pushimit dyjavor për shkak të ndeshjeve të kombëtareve.
Skuadra “bardhekaltër” të premten do ta zhvillojë ndeshjen e xhiros së 14-të ndaj Dukagjinit të Klinës.
Kapiteni i kryeqytetasve, Lorik Boshnjaku, ka premtuar maksimumin për ndeshjen e nesërme.
“Dueli ndaj Dukagjinit ka rëndësi të madhe për skuadrën tonë. Kjo është ndeshje ku ne duhet ta nisim serinë e fitoreve dhe presim që të arrijmë pikë të plota”, ka thënë Lorik Boshnjaku për “Prishtinafc.com”.
Mesfushori prishtinas foli edhe për atmosferën pozitive që po mbretëron te skuadra.
“Çdo ndryshim sjell një frymë të re. Shpresoj se kjo frymë do të jetë pozitive. Atmosfera në skuadër është shumë e mirë, ashtu siç ka qenë edhe më herët”, vlerësoi Lorik Boshnjaku.
Sfida në fjalë zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim në orën 13:00.
Në sfidën e parë të këtij edicioni Prishtina arriti fitore ndaj Dukagjinit në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, me rezultat 1:2.
Prishtina para këtij takimi “stacionohet” në pozitën e gjashtë me 17 pikë të tubuara, kurse Dukagjini renditet i teti me 14 sosh.


