Lajme

Kapen 375 mijë “eurot” e Facebookut

04/05/2021 00:22
nga:Gazeta Blic

Brenda postës në Mamushë, të premten arriti një pako e pazakontë. Ajo erdhi nga Turqia në Kosovë, me porosi online ndërsa po barte 375 mijë euro të falsifikuara me bankënota prej 100 dhe 50 euro.

Atë e kishin tërhequr në bazë të procedurave dy të rinj njëri 15 e tjetri 17 vjeçar, të cilët më pas i kishte zënë në flagrancë policia ku edhe i arrestoi.

Megjithatë, gjithë këtë tollovi e kishte bërë 15 vjeçari E.M, që sipas babait ato para i kishte porositur përmes rrjetit social ‘Instagram’. E meqenëse djali i këtij ishte i mitur dhe nuk kishte letërnjoftim, pagesën për porosinë e bëri përmes shokut të tij L.Sh, në emër të së cilit edhe ishte bërë edhe porosia.

Megjithatë, sipas familjarëve të të miturve, të njëjtit nuk kishin për qëllim të bënin gjëra të jashtëligjshme me ato monedha, por kishin në planë të realizonin video, të cilat më pas do t’i postonin në rrjetin social “Tiktok”.