Opinion

Kaosi që po troket në derë të Shqipërisë dhe Kosovës: Një kod pajtimi për demokraci

06/25/2019 10:59
nga:Gurakuç Kuçi

Shteti që në fillet e saj moderne ka pasur për qëllim të mbroj qytetarët dhe tu ofroj atyre siguri nga brenda dhe jashtë. Sipas këtyre dy parimeve shteti e fiton edhe besnikërinë e qytetarëve dhe në demokraci e vë qytetarin mbi grupet e interesit si partitë politike dhe individ të caktuar.

Edhe vetë Oto von Bizmark, ish kancelar i Gjermanisë dhe aktori kryesor në bashkimin e Gjermanisë gjatë çerekut të tretë të shekullit XIX, që njihej edhe si kundërshtar i madh i revolucionit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, megjithatë në periudhën e tij ofroi mirëqenie. Ai ishte iniciator brenda vendit po ashtu i reformave duke shtri arsimin në popull, duke ofruar siguri të gjerë, duke ofruar mbrojtje për tregti dhe investime kapitale, etj. Kjo erdhi si pasoj se ai mjaft mirë e dinte që një popull me mirëqenie dhe siguri i ofron besnikëri shtetit dhe mban larg edhe interesat e aktorëve të jashtëm që të kenë ndikim në popull apo shtet. Mirëpo, asnjëherë nuk kishte parë si projekt të arsyeshëm kapjen e shtetit nëpërmjet krijimit të klasave të të punësuarve nga Qeveria të cilët janë aq numër i madh sa e bëjnë të padobishëm çdo zë opozitar nga populli për gjendjen e keqe në shtet.

Kjo Gjermani nuk ishte vetëm emër por kishte edhe gjermanët, një problem të cilin e kishte Italia ku pas krijimit të Italisë i mungonin italianët.
Kissingeri thoshte se një lider duhet të jetë i aftë që popullin e tij ta dërgoj nga një gjendje aktuale në një gjendje tjetër më të mirë edhe kur ata janë të paaftë ta kuptojnë ndryshimin, por që më vonë do e pranojnë si veprim të nevojshëm dhe të mirë.

Mirëpo, pse mora një shembull të shekullit XIX dhe jo të më vonshëm, është arsyeja regresive që ka bërë politika dhe bashkësia (me fjalën ‘bashkësi’, të kuptojmë fjalën shoqëri, por përse nuk jemi shoqëri por bashkësi do e shpjegoj në artikullin e radhës) shqiptare nga epoka e rilindjes dhe iluminizmit kombëtar shqiptar.

Kaosi që po troket në derë

Shqipëria sot është në kaos, sepse si duket në të nuk udhëheqin shqiptarët apo edhe nuk ka popull shqiptar, e po i njëjti problem është edhe në Kosovë.
Asnjë iniciativë gjithë-politike, gjithë-kombëtare apo gjithë-shtetërore nuk njihet deri më tani.
Nuk ka asnjë pajtim as nga klasa politike në Shqipëri e as në Kosovë që Qeverinë dhe Opozitën ta bëjnë vetëm nga prizmi i zhvillimit të shtetit dhe jo si bëjnë tani nga interesat vetjake e klanore në dëm të shtetit.

Dhuna nuk ndodh vetëm me mjete të forta, armë të ftohta, armë zjarri, etj., por dhuna ndaj masës është edhe zhvillimi i korrupsionit, pasigurisë, padrejtësive, pabarazive, etj.
E gjithë kjo prodhon një shtet të dobët, të përçarë dhe që vepron për interesa klanore.

Shteti konsiderohet që posedon si i vetmi me të drejtë mjetin e dhunës apo të detyrimit. Thënë më butë, mjetin që të shtynë në respektimin e ligjit. Mirëpo kur mungon aftësia e shtetit që ta bëjë këtë, atëherë aftësia e mjetit të dhunës dhe marrjes në dorë të ligjit kalon në klane partiake.

Kjo gjë ka ndodhur në Shqipëri me 1997 dhe kjo gjë mund të përsëritet prapë me 2019, nuk është larg të ndodhë edhe në Kosovë, sepse nga gjendja e ngurtësuar në Kosovë, ndryshimi i gjendjes mund të jetë shpërthimi.

Forcën e shtetit mund ta përdorë një ‘qeveri’ për interesa vetjake për të mbrojtur pushtetin e vet, opozita përdor mjetin e dhunës si forcë revolucionare, gjë që e bënë që shteti edhe pse me forcë e zbaton ligjin, po ashtu opozita me forcë detyrohet ta zbatoj të drejtën e saj, dhe kur përballën dy forca që nuk kanë kujt t’i japin përgjegjësi, kaosi troket në derë.

Balshajt dhe Topiajt në luftën ndaj njëri tjetrit dikur kishin ftuar serbët dhe osmanët si përkrahje, dhe ardhja e tyre për ndihmë ishte edhe mbetja e tyre si sundimtarë në trojet shqiptare. Mark Krajleviçi kishte ftuar po ashtu osmanët në luftë kundër Car Llazarit në atë që sot njihet si ‘Beteja e Kosovës’ me 1389, mirëpo osmanët nuk u larguan më, por mbetën si sundimtarë.

Edhe në këtë kaos si ndihmë ftesat dhe ndihmat nga jashtë e sidomos nga ato që nuk vijnë nga vendet Perëndimore është veç zbatimi i teorisë së kaosit të ndërtuar nga Gjenerali i Rusisë Gerasimov.

Koha për t’i thirrur mendjes

Sikur bota akoma të ishte me politikën e njëjtë të Bizmarkut, sot as Shqipëria e as Kosova nuk do të ekzistonin, sepse realizmi bizmarkian do parashihte ruajtjen e balancave shtetërore dhe do lejonte gëlltitjen edhe të Shqipërisë edhe të Kosovës nga fqinjët e saj. Realiteti i sotëm ku të drejtat e njeriut thyejnë çdo amalgamë realiste e ndërtuar nga SHBA-ja dhe vende të tjera të Perëndimit mundëson edhe ekzistencën e shteteve si Shqipëria dhe Kosova.
Rreziku më i madh për Shqipërinë dhe Kosovën është besimi që dikush tjetër do të na shpëtojë.

Këtë realitet të ndërtuar nga SHBA-ja, nëse dy shtetet tona vazhdojnë ta thyejnë, nuk do mbesim asgjë më shumë se sa një zonë e cila ruhet vetëm që deti i Shqipërisë të mos shfrytëzohet për çështje ushtarake dhe anarkia, kriza e krimi të mos shpërndahet përtej dy vendeve.

Është koha kur nevojitet një iniciativë brenda dy shteteve dhe ndërmjet dy shteteve që të krijohet një kod i sjelljes së politikës dhe të jetë si program dhe strategji për stabilizimin dhe zhvillimin e të dyja vendeve, ose të ndryshohet tërësisht klasa politike, përndryshe nuk do të ketë Bashkim Evropian për ne dhe zbrazja nga qytetarët e mirë do të jetë e pashmangshme siç po ndodh edhe tani. Është koha për t’i thirrur mendjes dhe arsyes, të qenit konstruktivist nënkupton edhe pajtim me të keqen dhe jo gjithmonë pragmatizëm të mirë.