Sporti

Kampioni i Formula 1 po i nënshtrohet terapisë sekrete në Paris

09/12/2019 08:03
nga:M K

Rinisja drejt kthimit në jetën normale të Michael Schumacher në një spital të Parisit është kthyer në mister për mijëra tifozë në mbarë globin që shpresojnë se do ta shohin sërish në kushte të mira, idhullin e tyre.

Terapia me qeliza staminale ka zgjuar ndërkohë konspiracione për Kaizerin e Formula 1, thuajse 6 vjet nga aksidenti i tmerrshëm me ski në pistën e Meribel.

I mbrojtur me fanatizëm nga familja dhe miqtë e afërt e madje nën direktiva që edhe vetë shërbimet sekrete do ti kishin zili, shëndeti real i Mikael Shumaker ka qenë objekt thashethemesh dhe teorish të ndryshme, të gjitha në kufijtë e hollë mes së vërtetës dhe gënjeshtrës.

Tani përmes radhëve të Lë Parizien, vjen një lajm që ringjall shpresat për rikuperimin e pilotit gjerman.

“Është në zonën time dhe mund tju siguroj që është i ndërgjegjshëm” tha një infiermier i spitalit Zhorzh Pompidu por pa zbuluar më shumë. Dëshmitari që punon në njësinë kardiologjike ku është shtruar ish piloti i Ferrarit, ka treguar se ka patur vizita edhe nga ish presidenti i FIA-s Zhan Todt.

Zhvillimet e fundit që kanë pasuruar dramën e ish pilotit rekordmen të Formula 1, vijnë pak javë nga dalja e filmit mbi jetën e kampionit. “Shumaher”. Ky është titulli i thjeshtë i filmit por me imazhe të pa transmetuar më parë, dhe dëshmi të trishta të familjes së tij.