Lajme

Kamberi: Shpresë kemi tek Amerika për përmbyllje të marrëveshjes Kosovë-Serbi

02/12/2019 19:07
nga:M H

Belgzim Kamberi nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka thënë se serbët janë të mbipërfaqësuar në Kosovë për dallim prej shqiptarëve të Luginës në Serbi dhe se ka shpresë se me ndihmën e Amerikës do përmbyllet çështja e Luginës.

“Nuk kam shpresë tek klasa politike shqiptare pasi që nga viti 1999 nuk e kanë hapur të paktën një zyrë për Luginën e Preshevës. Shpresat i kemi tek Amerika pasi janë jashtëzakonisht të interesuar ta përmbyllin këtë marrëveshje”, ka thënë Kamberi.

“Serbët e Kosovës me Pakon e Ahtisaarit kanë mbi-përfaqësim duke filluar me 2/3 në Kuvend. Të drejtat që i kanë këta në Kosovë, nuk i kanë shqiptarët e Preshevës në Serbi”.

“Nëse flasim për reciprocitet të të drejtave, sot është më me rëndësi ta shtyjmë procesin që Presheva të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi” ka thënë Kamberi, njofton Klan Kosova.

Kamberi në Info Magazine deklaroi se integrimi i shqiptarëve në Serbi ka dështuar nga Beogradi, pasi nuk kanë arritur t’i integrojnë shqiptarët në shoqërinë e vendit të tyre.

Po ashtu Kamberi ka folur edhe për asetin kryesor sipas tij që ka Presheva.

“Aseti kryesor gjeostrategjik është autostrada që lidh lindjen me Perëndimin si dhe hekurudha, pasi po flitet për shkëmbim tregon se aseti kryesor është gjeopolitik dhe gjeostrategjik. Kjo është pse çështja e Luginës po bëhet temë e shkëmbimit dhe këtu gërshetohen edhe interesat e vendeve të huaja”.