Lajme

Kadrijaj: MPJ-ja ndaloi ambasadorët të ofrojnë raporte për ata që kërkuan riatdhesim

05/22/2020 13:54
nga:Y I

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, pas mbledhjes së këtij komisioni ku është diskutuar për procesin e riatdhesimit gjatë pandemisë, ka akuzuar Ministrinë e Punëve të Jashtme se i ka ndaluar ambasadorët që t’i ofrojnë Komisionit raporte lidhur me personat që kanë kërkuar të kthehen.

“Ne fillimisht iu kemi drejtuar ambasadorëve me një pyetje të tillë, që të marrim informata të sakta mirëpo pas raportimit të një numri të ambasadorëve është ndalur numri i raportimeve dhe sipas të gjitha gjasave ka pas kërkesë nga Ministria e Punëve të Jashtme që të mos raportohet”, ka deklaruar Kadrijaj.

Ajo ka thënë se as Drejtori i Përgjithshëm, Albert Prenkaj, në këtë ministri nuk i është përgjigjur kërkesës së tyre për të ardhur në raportim lidhur me këtë.

“Na janë përgjigjur se drejtori nuk do të vije të raportojë edhe pse kërkesa i është dërguar edhe ministrit në detyrë, pas kësaj ne prapë kemi kërkuar që ta kemi një raport të detajuar me shkrim, na e kanë sjell një raport statistikor që nuk përputhet me të dhënat që i ka Ministria e Shëndetësisë”, është shprehur Kadrijaj.

Ajo ka thënë se Komisioni ka vendosur që sërish të ftojnë për raportim Drejtorin e Përgjithshëm.