Analisti politik Bekim Kabashi ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje dhe kreu i saj, Albin Kurti kanë ndryshuar dukshëm strategjinë e tyre elektorale krahasuar me zgjedhjet e shkurtit të këtij viti.
Sipas Kabashajt, VV-ja ka kuptuar se sjellja e mëhershme, e cila përfshinte distancim nga mediat dhe një komunikim më ashpër ndaj opozitës, ka pasur ndikim negativ në mbështetjen e saj.
“Zoti Kurti e LVV-ja kanë ndryshuar strategjinë elektorale krahasuar me zgjedhjet e shkurtit të këtij. Zgjedhje që nuk prodhuan rezultat që kish me i konstituu institucionet. Dhe në këtë rast qasja e tij është e ndryshme, jo vetëm me opozitën por edhe me mediat. Nuk mendoj që ndonjë mendim individual i ndokujt nëpër studio televizive ka dikuar të LVV-ja. LVV-ja është një parti që bën matje përmes kompanive profesionale që i testojnë gjithë shkaktarët që e kanë nxjerr një rezultat që VV-ja ka qenë e pakënaqur. Rezultat që e ka ditë që nuk do të bëjë qeveri dhe që do të shkoj edhe një palë zgjedhjeve tjera…
Tash kjo sjellje e tij si në raport me opozitën si në raport me mediat është një gjuhë shumë më e rafinuar, shumë më e kujdesshme. Mendon që do t’i sjellë rezultat më të mirë. Për arsye se matjet i kanë treguar si ‘hajvanati’, si mos prezenca në media ka bërë që LVV-ja me ra me 8 për qind (krahasuar me rezultatin e vitit 2021)”, ka thënë Kabashi.


