Lajme

“Ka një mënyrë për t’i shpëtuar Kosova kollapsit buxhetor”

01/13/2020 00:10
nga:Gazeta Blic

Ish-drejtori i Departamentit të Buxhetit të Kosovës në Ministrinë e Financave, Agim Krasniqi, ka thënë se Kosova mund të ndalojë kolapsin buxhetor dhe ekonomik, pavarësisht se s’ka qeveri të re të formuar pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Në një postim në Facebook duke komentuar raportimet se Kosova gjendet para një kolapsi buxhetor për shkak të vonesave në formimin e qeverisë, Krasniqi ka thënë se qeveria në dorëheqje është dashur ta dërgonte në Kuvend buxhetin për vitin 2020, posa kanë dhënë betim deputetët e legjislaturës së re.

“Dje lexoja në shumë portale se Kosova gjendet para një kolapsi buxhetor e që mund të përcillet ma pakënaqësi të mëdha sociale dhe si rezultat mund të kemi kolaps të përgjithshëm ekonomik. Mos formimi i qeverisë tani ka prodhuar dhe po prodhon për çdo dit dëme të mëdha buxhetore dhe ekonomike sepse shume veprime të drejta do të mund të ndodhnin që tani dhe orientimet e reja strategjike dhe programore do të mund të jepnin një orientim të ri në zhvillimin ekonomik”, ka shkruar ai.

Sipas tij, pasi që qeveria në detyrë do të dërgonte në Kuvend buxhetin për vitin 2020, Kuvendi me deputetët e rinj mund ta miratojë e ta dërgojë për dekretim te presidenti për të mos rrezikuar bllokadat.

“Përkundër gjithë këtyre dëmeve, edhe në rrethanat aktuale mund të ndalojmë kolapsin buxhetor dhe ekonomik, kjo për faktin se kemi qeverinë në dorëheqje dhe kemi një Kuvend të konstatuar tani më. Qeveria në detyre (edhe pse e dorëhequr) menjëherë është dashur ta dërgoj në Kuvendin e Republikës së Kosovës buxhetin për vitin 2020, posa kanë dhënë betim deputet e legjislaturës së re. Kuvendi i Republikës së Kosovës mund ta kthejë këtë ligj qeveris në dorëheqje apo qeveris së re për plotësim ndryshime, ose mund ta miratojë dhe dërgoje për dekretim te Presidenti i vendit. Duke ndjekur këtë rrugë nuk do të kishim bllokade buxhetore, nuk do të rrezikonim pagat e mbi 80,000 shërbyesve publik, shërbimet e domosdoshme qeveritare nuk do të rrezikoheshin edhe pas datës 1 Prill sepse deri në këtë periudhe LMFPP ka dhanë zgjedhje të situatës. Qartësisht janë të përcaktuara detyrat dhe përgjegjësit e qeveris ( të dorëhequr apo qeveris së re) dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës sa i përket procesit të aprovimit të Ligjit të buxhetit”, ka shkruar më tej Krasniqi.

Sot gjatë ditës, Këshilltari politik në Ministrinë e Financave, Lulëzim Rafuna, ka thënë se në rast se nuk formohet qeveria e re, më 1 mars nuk do të mund të realizohet asnjë pagesë, përfshirë edhe pagat e punonjësve shtetërorë.

01/14/2020 01:04

Sa i kushton SHBA-së prania në bazat e saj ushtarake në mbarë botën?