Lajme

A ka kërkuar familja zhvarrosjen e trupit të Astrit Deharit, ja çka thotë avokati Tomë Gashi

02/08/2018 15:18
nga:Gazeta Blic

Avokati mbrojtës i familjes së Astrit Deharit, Tomë Gashi, ka thënë se deklarata e bëra sot nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, lidhur me kërkesën e familjes Dehari për zhvarrosjen eventuale të trupit të Astrit Deharit për te kryer ekspertizat e nevojshme që dërgojnë në zbardhjen e rastit, janë plotësisht e vërteta dhe në përputhje me qëndrimet edhe të familjes por edhe të vetë Gashit si përfaqësues juridik i familjes.

Gashi në një prononcim për Periskopin, ka thënë se kërkesa e familjes Dehari ka qenë që për zbardhjen e rastit të Astrit Deharit të angazhohet Instituti zviceran i Mjekësisë Ligjore me qendër në Lozanë, dhe ka insistuar se besojnë që Astrit Dehari është vrarë.

“ Deklarata e z. Kurteshi si deputet i Republikës së Kosovës është plotësisht e mbështetur nga familja e Astrit Deharit. Mirëpo për të mos pasur keqkuptime, familja Dehari ka deklaruar gjithmonë se kërkesa e tyre dhe e imja si përfaqësuese juridik i tyre, si avokat, ka qenë që të angazhohet Instituti zviceran i Mjekësisë Ligjore në Lozanë për të kryer hetime të pavarura, dhe në kuadër të hetimeve të pavarura edhe ekspertizat e nevojshme që ata i vlerësojnë për të gjetur shkakun e vdekjes së Astrit Deharit. Respektivisht familja dhe unë besojmë që ai është vrarë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren me 5 nëntor të vitit 2016”, ka deklaruar Gashi për Periskopin.

Gashi ka sqaruar se familja Dehari është e gatshme që të pranojnë edhe zhvarrosjen e trupit të Astrit Deharit, nëse një gjë e tillë vlerësohet nga ekspertët e mjekësië ligjore në Zvicër.

“Mirëpo meqenëse kemi pasur ekspertiza kontradiktore, me angazhimin e këtij instituti zviceran për të kryer hetime të pavarura, sigurisht që e vërteta juridike do të sqarohej. Familja e Astrit Deharit por edhe unë, kemi deklaruar shumë herë që familja është e gatshme të pranojë edhe ekshumim nëse atë e vlerësojnë ekspertët e mjekësisë ligjore në Zvicër. Ata mund të kërkojnë çfarëdo veprimi hetimore që të bëhet, deri tek ekshumimi eventual i trupit të Astrit Deharit. Kjo është krejtësisht e vërtetë” ka thënë Gashi.

Avokati i familjes Dehari ka thënë se pas marrjes se dokumentacioni të nevojshëm, Instituti zviceran do të bëjë kërkesë që t’iu jepet leje për një hetim të pavarur ndërkombëtare nga Prokuroria në Prizren dhe Ministria e Drejtësisë së Republikës së Kosovës.

“Ne sigurisht që nuk do të pajtohemi që ti dergohen vetëm dokumentacioni përkatës institutit zviceran në Lozane. Mirëpo pasi që ata të marrin dokumentacionin, ata do të paraqesin kërkesa konkrete tek institucionet përkatës tek Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria në Prizren që është duke i kryer hetimet për këtë rast, që t’iu jepet leje për çfarëdo lloj hetimi të pavarur i cili do të konsiderohej si hetim ndërkombëtar për të gjetur shkaqet e vrasjes së Astrit Deharit”, ka shtuar tutje avokati Gashi, raporton Periskopi.

Megjithatë Gashi thotë se për zhvarrosjen ose jo të trupit të Astrit Deharit, do të marr vendim Institutit i Mjekësisë Ligjore në Zvicër, pasi që të marr zyrtarisht në dorë hetimin për këtë rast.

“Deklarata e Sami Kurteshit, qëndron sepse është në harmoni me qëndrimin e familjes Dehari dhe qëndrimin tim si përfaqësues i tyre, megjithatë Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës do të vlerësojë se çfarë veprime hetimore të ndërmarrë. Ne sigurisht që nuk mund të ia imponojmë se çfarë veprime të ndërmarrë, dhe është në dorën e tyre, pasi që të fillojë angazhimi i tyre zyrtar” ka përfunduar Gashi .

Në seancën e mbajtur sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës, deputeti i VV-së, Sami Kurteshi, kishte deklaruar se familja e Astrit Deharit ka kërkuar thellim të hetimeve deri edhe në zhvarrosjen e trupit të djalit të tyre të ndjerë.

“Familja kërkon auditim të dokumenteve të mbledhura sepse rasti është shumë më i ndjeshëm. Familja kërkon një hetim të plotë, të pavarur ndërkombëtar nga një institut me renome botërore në vend të ngjarjes, deri në zhvarrosjen e trupit të Astrit Deharit të ndjerë. Kjo është kërkesa origjinale e familjes”, ka thënë në Kuvend deputeti Kurteshi.

12/04/2019 17:10

Një delegacion i BE-së takohen me Kurtin, interesohen për rrjedhën e bisedimeve me LDK-në