Opinion

Ka disa zëra në Kosovë që nuk po kuptojnë që politika (e jashtme) amerikane nuk bëhet ad hoc

12/20/2018 00:37
nga:Uk Lushi

Ka disa zëra në Kosovë që nuk po kuptojnë që politika (e jashtme) amerikane nuk bëhet ad hoc dhe drejtimet strategjike të saj nuk ndryshohen vetëm nga individë, qoftë ai edhe Presidenti amerikan, sepse në hartimin e tyre marrin pjesë segmente të tëra të shtetit dhe aparatit të madh special të SHBA-së. Prandaj konkludimet dhe gjykimet dëshirore ose preferenciale kundër banorit Numër 1 në Shtëpinë e Bardhë të disave janë jo vetëm të gabuara, po mund edhe të dëmtojnë raportet SHBA-Kosovë.

Presidenti Trump është kreu i shtetit në SHBA. Kryetari i Amerikës zgjedhet nga shtetasit amerikanë. U takon vetëm votuesve dhe shtetit amerikan të vendosin për legalitetin dhe legjitimitetin e të parit të Amerikës.

Çfarë ka rëndësi për marrëdhënien Amerikë-Kosovë është raporti institucional, që nuk duhet kurrë të personalizohet. Nëse Presidenti Trump nuk është President nesër, për çfarëdo qoftë arsyesh, natyrore apo tjera, vendin e tij e merr Mike Pence, njeriu lojal i linjës së Presidentit Trump dhe i cili është i involvuar direkt në raportin SHBA-Kosovë. Pra, në esencë nuk do të ndryshojë asgjë. Sëkëndejmi fjalët dhe prognozat e disave janë amatore, irelevante dhe– paarsyeshëm e panevojshëm– ofenduese për njeriun e parë të shtetit më të rëndësishëm për Kosovën dhe botën.

Dhe krejt në fund, disa zëra në Prishtinë po kanë qejf të qesin fall për Zgjedhjet Presidenciale 2020 në SHBA. Nuk është mirë që nuk kanë mësuar asgjë nga gabimet e KM Edvin Rama pikërisht për gjykimet e tij foshnjore politike për Donald J. Trump ndërsa Trump ishte në rrugëtimin e tij drejt Shtëpisë së Bardhë.

Sikur në çdo shtet edhe në SHBA ka polarizime politike, por shteti amerikan dhe institutionet e tij janë absolute në reprezentimin e tyre përmes personave të zgjedhur. Në politikë asnjëherë nuk është mirë të bëhen profeci. Kosova është vend aleat dhe me përkujdesje të veçantë të SHBA-së, pavarësisht cila parti amerikane është në pushtet apo si është emri i Presidentit amerikan. Shtetasit e Kosovës duhet t’ua lënë punët dhe preferencat e amerikanëve amerikanëve, sidomos kur Kosova dhe kastat e Kosovës kanë nevojë për vlerësime, gjykime dhe mbase preferenca negative. Amerika dhe njerëzit e saj duhet trajtuar me respekt dhe seriozitet siç trajtohet miku.