Opinion

Ka ardhur koha e Shqipërisë për emigrantët dhe e emigrantëve për Shqipërinë!

11/14/2019 09:41
nga:Silvana Begaj

Shqiperi! O nena ime! Ndonese jam i merguar,
Dashurine tende kurre, zemra se ka harruar. N.Frasheri

Zhvillimi ekonomik vazhdon të ngelet një pike sensibel ne vendin tone qe perflitet dhe behen perpjekje ,por pa rezultate te dukshme. Pavarësisht se viteve të fundit janë zhvilluar investime kapitale nga kompani kryesisht private, Shqiperia vazhdon te ngelet me te ardhura te uleta per fryme.

86% e familjeve në Shqipëri marrin para nga emigrantët, familjare që jetojnë e punojnë jashtë Shqipërisë kryesisht Italia, Greqia, Gjermania etj. Renia ekonomike ne keto vende pati ndikim te drejtperdrejte ne ekonomine tone.

Sipas shifrave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, jane mbi 670 milion euro te ardhura në 2018, shifër kjo që nëse i bashkohen edhe të hyrat e pa regjistruara tejkalohen 1.2 miliarde euro.

Të hyrat nga te ardhurat nga jashte, pra nga emigratët përbëjnë të hyrat më të mëdha në vend, duke tejkaluar kështu edhe investimet direkte të huaja e që janë të orientuara më shumë në sektorët e energjisë, financave, pasurive nëntokësore e tjera.

Te ardhurat, sot ndikojnë jashtëzakonisht shumë në përditshmërinë e familjeve shqiptare, duke pasur ndikim të drejtëpërdrejtë në cilësinë e jetës, në arsim, shëndetësi, biznes dhe çdo fushë tjetër, pra, qindra mijëra familje shqiptare sot varen tërësisht apo pjesërisht nga të ardhurat që vijnë nga miliona emigrantë te regjistruar dhe te paregjistruar, të shprëndarë në shtetet europiane por edhe vende tjera.

Megjithëse ekonomia shqiptare vijon të mbështetet fuqishëm nga keto te ardhura, edhe 29 vite pas rënies së komunizmit, në prurjet e shqiptarëve që punojnë e jetojnë jashtë vendit, qeveritë shqiptare asnjëhere nuk kanë projektuar apo punuar në ndonjë plan projekt konkret që jo vetëm do të kanalizonte këto të hyra në zhvillim të drejtë ekonomik, por vazhdon që emigrantët ti trajtoje vetëm si bankomat dhe të bëhet e shurdhër në përkrahjen e tyre në cfaredo forme.

Ne presim radhë të gjata e të pakuptimta në kufi të shtetit, ne paguajme bileta avioni me super çmime për të udhëtuar drejt Tiranës, e kur vijmë në Aeroportin e vetëm ndërkombëtar në Rinas, punonjësit aty shpesh sillen me arrogancë duke na bërë që ende pa shkelur tokën tonë të ndjehemi të tepërt në shtëpinë, në atdheun tonë.

Qeveritë tona, asnjëher nuk kanë realizuar ndonjë studim serioz për atë që përfaqësojne emigrantët shqiptare në botë, të arriturat, sukseset por edhe problemet qe hasin ne nje vend te huaj ku perfaqesia eshte vetem formale dhe ta shfrytezonin kete studim per te bere ndryshime ne nje vend tranzicion si i joni.

Tirana zyrtare, duhet urgjentisht të krijoje një ekip profesionistësh ku fjalën kryesore do ta kishin emigrantët dhe përfaqësuesit e qeverisë dhe të zhvillojne jo vetëm një studim por edhe të projektojnë projekte të qarta për investime serioze dhe afatgjate nga ana e emigrantëve.

Sot në botë shqiptarët, udhëheqin kompani të fuqishme tregtare, prodhuese e tjera, dhe një përkrahje nga ana e institucioneve shqiptare duke krijuar kushte dhe lehtësira ligjore do të kthente miliona euro investime ne Shqipëri.

Një lëvizje e re politike që në boshtin e saj do të kishte shqiptarët në emigracion, duke e respektuar edhe Kushtetutën e Shqipërisë dhe parathenien e saj për shqiptarët jashtë kufijëve, me perfaqesi pse jo dhe ne Kuvend, me ndarje sipas numrit të emigrantëve që do të konkuronin jashtë siglave të partive në Shqipëri, do të ishte jo vetëm një mundësi e jashtëzakonshme, por edhe një respekt për gjithë sakrificat dhe përkrahjen që ka dhënë jo vetëm këto vitet e demokracisë por edhe kontributin e saj historik në të gjitha zhvillimet në shekuj.

Mos na lini te krijojme nje Shqiperi paralele jashte Shqiperise tone!

Te punojme se bashku per nje Shqiperi europiane ne kufijte tone!

Ka ardhur koha e Shqipërisë për emigrantët dhe e emigrantëve për Shqipërinë!