Sporti

Juventus mund me 3 “perla” Genoa-n, Ronaldo i pandalshëm

06/30/2020 23:44
nga:Lorik J

Juventus vijon momentin fantastik në kampionat duke triumfuar me lehtësi 3-1 ndaj Genoas në transfertë. Skuadra torineze zhvilloi një ndeshje shumë pozitive, por në 45 minutat e para e kishte të vështirë për të gjetur golin.

Në fillimin e pjesës së dytë, Dybala shënon një gol të bukur me të majtën. Gjithsesi skuadra bardhezi nuk u ndal këtu, pasi 7 minuta më pas Ronaldo shënoi një euro gol me një “bombë” nga distanca.

Në minutën e 73-të, Douglas Costa nxori nga repertori një “perlë” të vërtetë me këmbën e majtë duke shokuar portierin Perin. Genoa u zgjua, duke shënuar golin e nderit me Pinamotin.

Juventus me këtë fitore ruan kryesimin me 72 pikë, 4 më shumë se Lazio që fitoi më herët 2-1 ndaj Torinos. /Koha Jone/