Lajme

Juristët: Institucionet e reja vështirë se mund të formohen gjatë marsit

02/25/2021 22:28
nga:Q R

Më shumë se 500 vendvotime po iu nënshtrohen procesit të rinumërimit. Për shkak të këtyre procedurave po vonohet edhe krijimi i institucioneve të reja.

Belgzim Kamberi nga Instituti për Politike Sociale thotë se është e vështirë të krijohen institucionet e reja brenda muajit mars.

“Duket se do të jetë e vështirë që gjatë muajit mars të themelohen institucionet e reja. Do të ishte shumë optimiste nëse institucionet të konsolidoheshin gjatë muajit mars, pasi procesi po zhagitet jo vetëm për shkak të rinumërimit por edhe për shkak të numërimit të votave nga diaspora”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Belgzim Kamberi.

Anton Nrecaj nga Instituti CLARD thotë se institucionet e reja nuk mund të themelohen para muajit prill, përcjell Telegrafi.

“Në bazë të trendëve si po shkon procesi formimi i institucioneve të reja pritet të bëhet nga fundi i marsit eventualisht fillimi i prillit për shkak se në atë periudhë do të duhet t’i kemi të gjitha institucionet e kompletuara”, deklaroi Anton Nrecaj.