Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp është paraqitur për shtyp para ndeshjes së nesërme mes Liverpool dhe Real Madrid.
Në konferencën për media ai thotë se skuadra e tij do të kërkojë të hakmerret pas finales së humbur të vitit 2018 me Real Madrid, shkruan GazetaBlic Sport.
“Pas ndërhyrjes së Ramos në Salah skuadra jonë ra në moral dhe në lojë”, është shprehur Klopp.
Ai thotë se nuk pati mendim të mirë për ndërhyrjen e Ramos ndaj Salah duke thënë se Ramosin nuk do ta ftonte në festën e ditëlindjes së tij pas ndërhyrjes që bëri ai ndaj sulmuesit egjiptian.
I pyetur se çka duhet të bëjë skuadra e tij për të fituar ndaj Real Madridit ai u shpreh se duhet punë e palodhshme dhe angazhim maksimal nga të gjithë lojtarët e tij.
“Ata kanë shumë kapacitet. Do të na duhet shumë përpjekje. Ne do të duhet të vrapojmë dhe të luftojmë shumë për mënyrën se si ata luajnë. Ata janë ekipi me më shumë tituj në këtë garë dhe kjo flet se sa e vështirë është kjo ndeshje ”, tha Klopp.
Ndeshja mes Real Madrid dhe Liverpool do të zhvillohet të martën nga ora 21:00 në Di Stefano.
/GazetaBlic Sport


