Zëvendësministri i Jashtëm, Kreshnik Ahmeti, ka reaguar pas thirrjes së shteteve të Quint-it se Qeveria e Kosovës duhet të lejojë që serbët në Kosovë të marrin pjesë në referendumin e Serbisë për ndryshime kushtetuese.
Ai ka thënë se kjo e drejtë nuk po i mohohet asnjë qytetari të Serbisë në Republikën e Kosovës, por se kjo nuk bën të ndodhë duke shkelur sovranitetin e vendin.
“Përderisa janë dy mundësi të lehta votimi për këta qytetarë, nëpërmjet postës dhe nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Republikën e Kosovës, çfarëdo kërkese shtesë nga Serbia është vetëm pretekst për destabilizim eventual të vendit e rajonit”, ka shkruar Ahmeti.
“Si Republikë, jemi të barabartë mes fqinjëve tanë në rajon, prandaj duhet t’i shohim edhe praktikat e tyre në raport me pakicat serbe dhe me këtë proces votimi. Për më tepër, ne synojmë anëtarësimin në BE dhe duhet t’i shohim edhe praktikat e vendeve anëtare të cilat kanë pakica serbe”.
Ai ka shtuar se njohja e së drejtës së dikujt, nuk duhet të bëhet në kurriz të së drejtës së tjetrit.
“Prandaj, këto kërkesa të paarsyeshme të Serbisë nuk mund të legjitimohen nga praktikat e kaluara të cilat kanë shkelur sovranitetin e vendit. Serbia nëpërmjet këtyre kërkesave ka si synim vetëm legjitimin e destabilizimit eventual të veriut të Republikës së Kosovës dhe të rajonit”.