Lajme

Jo të gjitha komunat e Kosovës njoftohen nga MSH për testet rapide të COVID-19

11/21/2020 20:36
nga:F K

Rreth një muaj pasi që Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi se rreth 120 milionë teste rapide për COVID-19 do të jenë në dispozicion për shtetet me të hyra të ulëta dhe mesatare, Kosova u ka hapur rrugë këtyre testeve.

Pasditen e së premtes, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka ndryshuar Udhëzimin administrativ për kujdesin parësor shëndetësor, ku u është mundësuar QKMF-ve kryerja e testeve të shpejta për detektim të antigjenit SARS COV-2, raporton KOHA.

Testet rapide janë teste të cilat brenda 15 apo 20 minutave tregojnë nëse një person është i infektuar me COVID-19.

Derisa këto teste tash e disa javë në shtetet evropiane janë duke u përdorur në aeroporte e në pika kufitare, Ministria e Shëndetësisë nuk ka treguar nëse njëjtë do të përdoren edhe në Kosovë.

Ky ndryshim i Udhëzimit vjen vetëm disa ditë pasi që menaxherja e Programit të Fondit Global për Kosovë, Edona Dobroshi-Deva, në emisionin ‘Desku’ të KTV-së ka thënë se institucionet në Kosovë nuk ia kanë idenë për këto teste.

“Teste të lira, që kushtojnë rreth 5 dollarë. Janë teste të besueshme, të sakta deri 97 për qind, dhe e kanë sensitivitetin mbi 80 për qind. Është e lejueshme për përdorim nga agjencitë më të mëdha mjekësore. Në vendin tonë nuk e kanë idenë se sa mund të jenë të dobishme këto teste. Dhe mund të sigurohen, sepse Fondi Global i ka siguruar rreth 120 milionë teste të tilla për vendet në zhvillim. Shqipëria javën e kaluar i ka porositur rreth 200 mijë, Kosova nuk e ka idenë, nuk i ka të përfshira këto”, tha Edona Dobroshi-Deva – Menaxhere e PFG-së për Kosovë.

Nga Ministria e Shëndetësisë, duke mos dhënë shumë detaje, shkurt kanë thënë se me ndryshimin e Udhëzimit administrativ u është hapur rrugë komunave që të kenë mundësi të testojnë sa më shumë qytetarë dhe se prioritet tash e tutje është sigurimi i testeve dhe fillimi i testimeve rapide.

E kreu i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një postimi në Facebook, ka treguar se kanë porositur 18 mijë teste të tilla.

Ai ka bërë të ditur se në fund të javës ato teste mund të jenë gati.

“Komuna e Prishtinës tashmë ka porositur edhe 18,000 teste antigjen të cilat janë të shpejta dhe mund të përdoren për testim të shpejtë të grupeve më të mëdha si në shkolla e organizata. Në qoftë se gjithçka shkon në rregull, këto do të jenë gati kah fundi i javës tjetër”, ka shkruar Ahmeti.

Megjithatë, jo të gjitha komuna në Kosovë kanë marrë ndonjë informacion zyrtar për këtë. Drejtori i Shëndetësisë në Pejë, Petrit Loci, përmes telefonit, ka thënë për KOHËN se në lidhje me ndryshimin që është bërë është informuar nga mediat e jo nga Ministria.

Në Kosovë, për diagnostikimin e COVID-19 përdoret metoda PCR, test që kryhet në laboratorin e IKSHPK-së dhe disa laboratorë privatë. Rezultatet e këtij testi dalin pas 48 deri në 72 orësh, gjë që vazhdimisht është konsideruar problematike.

9 muaj pandemi dhe masa kufizuese, Kosova ende s’e ka bërë hapin e parë drejt Rimëkëmbjes Ekonomike