Opinion

Jo protesta tani, jo rezistencê në dorëzimin e detyrave

04/23/2020 22:06
nga:Bislim Bislimi

Shkruan: Bislim Bislimi

Po, është shkelur Kushtetuta. Po, Kosova ka marrë një goditje të rëndë në rrugën e saj të shtetndërtimit. Po, protesta është mjet demokratik dhe vlerë që ka lindur në periudhën e ndritshme të rilindjes evropiane. Ata që nuk e kuptojnë protesten, kritikën dhe konfrontimin e ideve, s’marrin vesh asgjë nga demokracia dhe vlerat perëndimore ku ne, synojmë integrimin e plotë.

Kur është momenti i protestave? Natyrisht pasi të jenë shterruar rrugët që mundëson sistemi i institucioneve shtetërore që janë krijuar për të dhënë drejtësi. Institucionet e kapuara? Po, fatkeqësisht kemi shumë shembuj se drejtësia në vendin tonë, nuk e ndjekë parimin themelor të shtetit të së drejtës: barazinë para ligjit. Të fortit e politikës, fatkeqësisht ja dalin t’i mbivendosen ligjit. E megjithatë forcat politike e qytetare duhet ta sfidojnë sistemin e brisht të drejtësisë. Duhet ta sprovojnë atë. Duhet ta degradojnë atë. Duke i shtyrë ata të japin “drejtësi” jo sipas Kushtetutës por sipas interesit të palëve të caktuara politike, popullit ja shfaqni mundësinë për ta parë shkoqur përmasën e ‘state capture’. Çjerrja e maskës së një sistemi korruptiv është pikënisja e një ndryshimi të thellë e të vërtetë. E ky, është një kontribut madhor që një forcë politike ja bënë vendit e popullit prej nga vjen.

Prandaj, me gjithë vlerën e tyre protestat asnjëherë s’duhet të jenë opsion para se të shterren këto mjete nëse vërtetë beson në vlerat e parimet e shtetit të së drejtës, pa e vënë në spikamë këtu kohën e vështirë të pandemisë. Edhe pasi të jenë pjekur kushtet, një subjekt a lider politik serioz, që ja ka dalë ta bindë popullin për ta votuar më së shumti në vend, nuk i takon, nuk i shërben e nuk e nderon ideja e protestave të dhunshme siç mund të flasin koka të nxehta tani për këtë opsion.

Vite me radhë Lëvizja Vetëvendosje e ka frikësuar popullin me aksione e protesta të sforcuara e jo normale. Sidoqoftë, atë botë Vetëvendosje ishte në proces e sipër për t’u etabluar në skenën politike dhe nevoja për ta theksuar fort qasjen ‘antiestablishmet’, mund t’i ketë shtyrë strategjistët e saj të sillen në mënyrë sa më atipike. Fundja, në Ballkan s’është se mund të zësh vend në skenën e ashpër politike me projekte, ide e mjete politike normale sikurse ndodhë me shoqëritë e shtetet perëndimore që janë maturuar brenda një sistemi vlerash civile e demokratike të mirëfillta. Duke qenë në stadin e tillë të formësimit politik, ideologjik e strukturor edhe mund të gjenden argumente që e justifikojnë sjelljen e tillë të atëhershme të kësaj organizate politike.

Sot, LVV nuk është më e njëjta. Ajo, tashmë, jo vetëm se e ka arritur pjekurinë dhe konsolidimin e vet në skenën tonë politike por tashmë është suksesshëm partia që i vë në lëvizje edhe partitë e vjetra tradicionale duke u imponuar sjellje të caktuara. Sado që është rrëzuar nga qeverisja nga një bashkim i tërë forcave të vjetra politike, ajo domosdoshmërisht është faktori ndërkryesor në politikën kosovare. Ajo nuk është më organizata e dikurshme dhe nuk mund e nuk duhet më të sillet sikurse më parë. Sot, përgjegjësia e saj përballë të ardhmes së vendit është shumë më e madhe se sa ka qenë para tre vitesh. Ajo ka marrë përsipër të parashtrojë strukturimin e ideve të ndryshimit të kursit post pavarësi, ndryshim ky i domosdoshëm për të nxitur vendin në rrugën e shtetndërtimit dhe institucionalizimit të shoqërisë në shtetin e së drejtës. Çdo dështim i saj në këtë rrugë, do të thotë dështim për vendin. Në kompozicionin aktual politik të vendit, LVV është në pozicionin e alternativës së vetme. Nëse ajo bën gabime, edhe e vonon ndryshimin e duhur për vendin edhe e pengon shoqërinë të strukturojë grupime të reja politike që do të mund të merrnin përsipër projektin e ndryshimit të pashmangshëm.

Situata e tashme duhet trajtuar me përgjegjësi të lartë dhe me racionalitet politik duke mos rënë në tundimin e protagonizmit politik përmes mjeteve ‘jo normale’. Tashmë Kurti dhe LVV nuk kanë nevojë ‘të ecin në duar, me kokë poshtë e me këmbë lartë’ për t’u dalluar e spikatur në turmë. Ajo duhet të nxjerrë mësimet e duhura nga përvojat e fundit dhe të drejtojë vendin drejt rikthimit të demokracisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në binarët e vet. Partitë politike, skemave taktike me patjetër duhet t’u bashkëngjesin edhe objektivat strategjike në mënyrë që të forcojnë parametrat e domosdoshëm të realpolitikës për qeverisje, përtej vetëmjaftueshmërisë së kauzave populliste.

Për fat të mirë Kosova ka akses të mjaftueshëm në faktorë e mekanizma kredibil ndërkombëtar të cilët duhet të konsiderohen në betejën e rikthimit të demokracisë kushtetuese. Ata mund të shfrytëzohen për të kompensuar mungesën e kredibilitetit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Një shoqëri normale proteston kur rrëmbehet demokracia dhe kushtetutshmëria dhe kur kujdestari i tyre i sistemit merr anë nga rrëmbyesi por asnjëherë pa vënë në provë mekanizmat e sistemit qoftë vendor apo ndërkombëtar dhe asnjëherë në mënyrë jo qytetëruese.

Populli duhet afruar dhe jo frikësuar. Me popullin nuk mund ta shtyjë askush. E drejta ndërkombëtare publike në trajtimin teorik që i bën rasteve të pushtimit të popujve parashtron hipoteza gjithënjë e më të afirmuara se sado e fuqishme të jetë një forcë pushtuese qeverisja e pavullnetshme e një populli është qeverisje e paligjshme dhe si e tillë mund të refuzohet nga vet populli.

Gabimet sot, janë më të thella e më të rënda se gabimet dje.