Lajme

Jo 5 euro, por kjo gjë do t’ju bëjë edhe më shumë nervoz për taksën në Rrugën e Kombit

09/13/2018 18:30
nga:L I

Të gjithë kosovarët që dëshirojnë të kalojnë nga Rruga e Kombit që prej 17 shtatorit, do të paguajnë nga 5 euro e 20 cent vetëm për një drejtim. Në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri deklarojnë se kanë informuar në rrugë zyrtare shkresore autoritetet kosovare për “skemën zbritëse dhe fillimin e kalimit me pagesë nga 17 Shtatori”.

Kushdo që ia mësynë Shqipërisë nga 17 shtatori i këtij viti, vetëm që të kalojë nga “Rruga e Kombit” do të duhet që të paguajë nga 5 euro, ose më saktë sipas kursit aktual 5 euro e 20 cent, vetëm për njërin drejtim në këtë rrugë. E gjithë kjo për shkak të taksës që ka vendosur shteti shqiptar për këtë rrugë.

Por, kjo pagesë po kundërshtohet ashpër nga kosovarët pasi po konsiderohet e papërballueshme për xhepat e tyre.

Kundër kësaj takse kishin dalur edhe nga Ministria e Infrastrukturës në Kosovë, duke u drejtuar edhe një letër autoriteteve të shtetit shqiptar qysh në fillim të vendimit për implementimin e saj.

Sipas tyre shuma prej pesë eurove për automjetet e vogla dhe njëzet euro për automjetet më të mëdha është e pa përballueshme për xhepin e qytetarëve të vendit. Derisa thonë që është në dorën e shtetit shqiptar që të marr një vendim më racional dhe të përballueshëm.

“Kemi shfaqë mospajtimin tonë me çmimin e atëhershëm dhe po ashtu duke kërkuar që të ulemi dhe të diskutojmë për zgjidhje alternative (me të buta dhe me të përballueshme) për qytetarët tone”, kanë thënë për Express nga Ministria e Infrastrukturës.

Ndërkohë, tashmë kur taksimi pritet të ri-fillojë në Ministrinë që udhëhiqet nga Pal Lekaj, thonë se nuk kanë marrë asnjë informacion nga Ministria e Infrastrukturës së Shqipërisë nëse do të ketë ndryshim të çmimit për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Por, një gjë të tillë e kanë mohur në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri.

Dardan Malaj nga Ministria e Infrastrukturës së Shqipërisë ka thënë për Express se ata kanë organizuar bisedime me përfaqësuesit e biznesit nga Kosova. Deklarojnë se kanë informuar në rrugë zyrtare shkresore autoritetet kosovare për skemën zbritëse dhe fillimin e kalimit me pagesë në 17 Shtator në aksin Milot-Morinë.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka informuar në rrugë zyrtare shkresore autoritetet kosovare për skemën zbritëse dhe fillimin e kalimit me pagesë në 17 Shtator në aksin Milot-Morinë”, ka thënë Malaj.

E se pagesat do të fillojnë të aplikohen prej këtij muaji, e ka konfirmuar për Express edhe vet Malaj.

“Në datën 17 Shtator fillon kalimi me pagesë në aksin rrugor Milot-Morinë në kuadër të kontratës së nënshkruar nga qeveria shqiptare për përmirësimin dhe mirëmbajtjen e këtij aksi rrugor. Prej fillimit të muajit Shtator, po kryhet një fushatë e gjërë informimi përfshirë mediat elektronike dhe rrjetet sociale. Synimi i fushatës është informimi i plotë i qytetarëve në lidhje me mënyrën se si do të funksionojë skema zbritëse për banorët e Qarkut të Kukësit, mjetet e transportit publik në këtë qark dhe përdoruesit e shpeshtë të rrugës pavarësisht ku banojnë apo jetojnë”, sqaroi ai.

Malaj ka thënë se për të kaluar me veturë nëpër “Rrugën e Kombit”, kosovarët do të pagujnë 5 euro. Shton se përdoruesit e shpeshtë do të kenë edhe zbritje.

“Përtej banorëve të Qarkut të Kukësit të cilët kanë specifikën e tyre në raport me kalueshmërinë në këtë aks rrugor, çdo qytetar tjetër nga Shqipëria apo jashtë saj trajtohet në mënyrë të barabartë. Për ta ilustruar më thjesht, një qytetar nga Tirana, Vlora, Prishtina, Peja, Shkupi apo çdo vend tjetër ka të njëjtat përfitime nga skema zbritëse e cila do të aplikohet për kalueshmërinë në këtë aks rrugor”, deklaroi ai.

Në Ministrinë e Infrastrukturës në Shqipëri thonë se do të ketë lehtësira edhe për bizneset kosovare. Madje thonë se fakti që shtyrja e afatit të fillimit të kalimit me pagesë përtej sezonit turistik që sapo mbyllëm ka qenë një kërkesë e bizneseve kosovare, e cila u mor parasysh nga ministrat Gjiknuri e Ahmetaj

“Siç u bë e qartë dhe më lart, gjatë procesit të bisedimeve për hartimin e paketës zbritëse të tarifave është zhvilluar takim dhe me përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës. Madje, shtyrja e afatit të fillimit të kalimit me pagesë përtej sezonit turistik që sapo mbyllëm ka qenë një kërkesë e tyre e cila u mor parasysh nga ministrat Gjiknuri e Ahmetaj. Ndërkaq, bizneset nga Kosova ashtu sikurse edhe bizneset nga Shqipëria do të mund të përfitojnë njësoj nga tarifat zbritëse në varësi të shpeshtësisë së kalimit, sipas skemës së sqaruar më lart”

Ndryshe, kundër kësaj takse të vendosur nga shteti shqiptar ishin organizuar protesta nga qytetarët e qytetit të Kukësit, të cilat më pas kishin eskaluar duke shkatërruar të gjitha sportelet e vendosura që do të shërbenin për pagesën e kësaj takse. Gjatë përplasjeve të ashpra ndërmjet banorëve të asaj pjese dhe policisë ishin lënduar të paktën 12 punonjës policie dhe drejtuesi vendor i Kukësit.

Lista e taksave që do të duhet të paguajnë kosovarët për të kaluar nëpër “Rrugën e Kombit”:

-Për motoçikletat dhe automjetet me 3 rrota do të jetë 330 leke;

-Për automjetet e klasës B do të jetë 660 leke;

-Për automjetet komerciale me dy akse (6 rrota (1.90m dhe 2.70m) do të jetë 1490 leke

-Për kamionë të mesëm dhe autobus të rëndë përfshi mjetet me lartësi 2.7m pagesa do të jetë 2140 lekë

-Për kamionë të rënde, 4 akse dhe më shumë, pagesa do të jetë 2970 lekë

Tarifimi i përdoruesve të shpeshtë të rrugës pavarësisht vendodhjes së tyre –

-Nga 20 deri në 30 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 10%;

-Mbi 30 deri në 50 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 20%;

-Mbi 50 deri në 60 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 30%;

-Mbi 60 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 40%;