Lajme

Jep dorëheqje drejtori i AKI-së Driton Gashi

04/10/2018 16:27
nga:Gazeta Blic

Shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Driton Gashi e ka ofruar dorëheqjen nga ky post.

Lajmin e ka konfirmuar për “Gazeta Blic” zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi.

“Po e ka dorëzuar edhe zyrtarisht dorëheqjen”, ka thënë Gashi.

Paraqitja e dorëheqjes së tij, ka ardhur pas vendimit që ka marrë javë më parë kryeministri Haradinaj për lirimin nga detyra.

Përveç tij, Haradinaj kishte liruar nga detyra edhe ministrin e Brendshëm Flamur Sefaj, për shkak se ata nuk e kishin informuar lidhur me aksionin për arrestimin dhe deportimin e gjatë qytetarëve turq.

Javën e kaluar Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë për rastin e njohur si “gylenistët” me kërkesë të Grupit Parlamentar të LDK-së të mbështetur edhe nga VV dhe GDP. Në po këtë seancë është votuar edhe “pro” krijimit të komisionit hetues në rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se nuk ka qenë fare i informuar për veprimet e institucioneve të sigurisë për aksionin e dëbimit ka premtuar se veprime të tilla më nuk guxojnë të përsëriten.

Ndërsa, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka thënë se rasti po hetohet nga organet kompetente. Madje, ai ka thënë se posedon një raport të detajuar nga Agjencia e Inteligjencës së Kosovës (AKI), ku thuhet se arsyeja e deportimit të gjashtë shtetasve turq ka të bëjë me veprime të paligjshme në Kosovë.

Edhe Avokati i Popullit, për këtë rast ka vendosur të hapë rast Ex Officio, për të hetuar në detaje veprimet e ndërmarra nga autoritetet publike.Aksioni i deportimit të gjashtë shtetaseve turq, që u ndërmor më 28 mars u raportua si një veprim i përbashkët i shërbimeve inteligjente të Turqisë dhe Kosovës. /Gazeta Blic/

12/10/2019 20:57

E thotë Ramush Haradinaj: Në Ballkan s’duhet të thuhet kurrë që s’mund të ketë luftë