Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, po ashtu kandidat për deputet në zgjedhjet e 9 shkurtit, ka komentuar deklaratën e kryeministrit për varfërinë në Kosovë, se “jemi vend i dalë nga lufta”, derisa në opozitë kishte thënë se “nuk jemi të varfër por jemi të vjedhur”.
Ai në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se deklarata e Kurtit është shembull tipik i ndryshimit të narrativës mes opozitës dhe pushtetit.
“Deklarata e Albin Kurtit në lidhje me varfërinë është një shembull tipik i ndryshimit të narrativës mes opozitës dhe pushtetit. Kur ishte në opozitë, Kurti e vendoste theksin te korrupsioni dhe keqmenaxhimi si shkaqet kryesore të varfërisë, duke argumentuar se vendi nuk është “i varfër” por “i vjedhur”. Kjo narrativë ishte efektive për të krijuar besimin te qytetarët se ndryshimi i qeverisjes do të sillte përmirësim të menjëhershëm të standardit jetësor”, është shprehur ai.
Deputeti vlerëson se Kurti tani zhvendos fajin dhe shmang përgjegjësinë pasi nuk ka arritur të bëjë ndryshimet e premtuara.
“Tani, si kryeministër, ai ka kaluar në një qasje më justifikuese, duke e zhvendosur fajin te faktorët historikë dhe strukturorë, si statusi i vendit të dalë nga lufta. Kjo qasje duket si një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë për mosarritjen e ndryshimeve të premtuara dhe për të krijuar një narrativë më të favorshme për qeverisjen e Kurtit”, ka theksuar Lekaj për Gazeta Blic.
Sipas tij, qytetarët nuk e kanë votuar Kurtin që t’ua kujtojë të kaluarën por që t’u ofrojë zgjedhje konkrete për të ardhmen.
“Kjo tregon se Kurti po përpiqet të shpërndajë përgjegjësinë për dështimet e tij, duke mos marrë parasysh pritshmëritë që krijoi te qytetarët. Qytetarët nuk votuan për të thjesht që t’u kujtohet e kaluara, por për të parë zgjidhje konkrete për të ardhmen”, ka deklaruar deputet i AAK-së, Pal Lekaj./Gazeta Blic/
Varfëria dhe të ardhurat e ulëta në Kosovë sipas Bankës Botërore, Kurti: Jemi vend i dalë nga lufta