Lajme

Jashari për punësimet partiake e familjare: Është e dhimbshme sepse ka thyer shumë pritje, ka zhgënjyer shumë qytetarë dhe ikja nga Kosova është shqetësuese

04/05/2022 14:19
nga:Donika Fetahu

Njohësi i çështjeve politike Shemsi Jashari, lidhur me raportimet për punësimet familjare e partiake nga LVV, në KEK, tha për GazetaBlic se sikur vetë Kurti dhe Vetëvendosja nuk do t’i kishte denoncuar vite radhazi partitë politike për një dukuri të tillë, nuk do të habitej askush dhe se qytetarë tashmë janë të mësuar me një gjë të tillë, që për t’u punësuar duhet të kesh lidhje politike.

“Raportimet për punësime të militantëve partiak, farefisit, të personave të afërt me pushtetin dhe zyrtarëve të lartë të partisë në pushtet, nuk do të përbënte fare lajm e as nuk do të habitej askush sikur të mos e kishte denoncuar vetë Vetëvendosje dhe z. Kurti, për vite të tëra këtë dukuri të nepotizmit dhe klientelizmit partiak e politik. Qytetarët janë mësuar tashmë shumë vite që, për t’u punësuar duhet të kesh lidhje politike, duhet dikujt t’i bësh vota, duhet për dikë të mbyllësh sytë”, tha Jashari.

Ai theksoi se Vetëvendosje erdhi në pushtet duke premtuar se një dukuri e tillë nuk do të ndodhë, por që po rezulton e kundërta.

“Vetëvendosje erdhi në pushtet me premtimin për të ndaluar këtë dukuri negative dhe fenomen që përzuri nga Kosova mijëra të rijnë e të reja profesionist/e. Tani, Vetëvendosje nuk po e ndalon atë dukuri, përkundrazi është më e shfaqur se kurrë deri më tani dhe kjo është e dhimbshme sepse ka thyer shumë pritje, ka zhgënjyer shumë qytetarë dhe ikja nga Kosova është shqetësuese, më shumë se kurrë janë duke ikur. Nëse dje, punësimi i personave të afërm të politikanëve të fuqishëm dhe militantëve partiak ishte fenomen i keq, por megjithatë i heshtur, sot kjo qeveri po e bënë standard dhe kjo do t’i përcjellë edhe qeveritë e ardhshme”. theksoi Jashari.

Ndër të tjera ai komentoi edhe mosreagimin nga ana e opozitës, duke thënë se opozita nuk ka guxim të flas duke e ditur se çfarë kanë bërë vetë kur kanë qenë në pushtet.

“Opozita anemike, e heshtur, nuk po lëvizë dhe as që po mundohet ta kryej rolin e vet opozitar. Është duke pritur që qeveria vet t’i zhgënjej qytetarët, ndoshta duke e ditur se çfarë kanë bërë vetë kur ishin në pushtet s’po kanë guxim të flasin. Ndoshta për ta mundur Albin Kurtin dhe qeverisjen  e Vetëvendosjes kjo opozitë vetëm duhet të heshtë, sepse sa herë që fletë ua kthen kujtesën dhe ua përkujton çfarë kishin bërë dje”, tha ndër të tjera Jashari.

Analisti politik për punësimet familjare e partiake të VV-së: Është skandaloze dhe e papranueshme