Avokati Arbër Jashari, si i ftuar në emisionin Edu Media të transmetuar të premten në Klan Kosova, tregoi se çka duhet të bëjnë mediat që të mos thyhet privatësia e grave që vendosin të raportojnë dhunën që ushtrohet ndaj tyre.
“Sa herë raportohet për një vepër penale apo për një krim, raportimi i mediave duhet të ketë shumë rëndësi, por kur është fjala për dhunë në familje apo integritetin seksual, mediat duhet të kenë kujdes të dyfishtë sepse në këto raste edhe kodi i procedurës penale parasheh tjera masa. Parimi i publicitetit përjashtohet dhe çdo gjë duhet të bëhet në mënyrë konfidenciale në mënyrë që t’i ruhet integriteti viktimës, që viktima mos të ekspozohet dhe të dëmtohet hala më shumë nga mënyra e raportimit që bëhet. Pastaj nga mënyra e raportimit, ajo mund të ketë edhe pasoja të tjera të pariparueshme, andaj mediat duhet të jenë të kujdesshme kur raportojnë për këto raste, të mos udhëhiqen nga sensacioni, nga klikimet”, tha avokati.
Por, kjo situatë mund të ndryshoj, e sipas ish-gazetarit Jashari, kjo mund të bëhet nëse mediat rregullohen vet.
“Një vetëkontroll i mediave do të ishte shumë i rëndësishëm. Mediat vetë ta marrin rolin që iu takon dhe t’i rregullojnë gjërat brenda vetes, pastaj funksioni i këshillave ose organeve që i mbikëqyrin mediat, por nëse mbetet krejt në fund ato mund të përballen me padi të ndryshme nëse ky standard arrin çdo kufi”, shtoi ai.
Mediat, përpos edukimit të vetvetes dhe kontributit në resurse njerëzore kuadrove që t’i përcjellin drejt dhe t’i pasqyrojnë drejt, e kanë për mision edhe edukimin e publikut.
“Do ishte mirë t’i kontribuojnë në atë mënyrë që publiku t’i ketë pritjet reale, dhe mos të jetë publiku i atillë që me pritë sensacione e çështje të cilat janë kundër etikës, por thjesht njerëzit të edukohen në atë mënyrë sa që t’i kenë pritjet konform standardeve që duhet t’i ketë një lajm i pranueshëm, po flas për rastet e dhunës dhe raste tjera të krimit”, tha avokati Jashari.