Sporti

Ja si përfundoi ndeshja ndërmjet Trepçës ilegale dhe Crvena Zvezdës

10/10/2019 23:26
nga:Lorik J

Ndeshja e futbollit për të cilën është krijuar shumë bujë, më në fund është luajtur të enjten pasdite.

Ndeshja që ishte pretenduar të luhej të mërkurën në Zhitkoc në afërsi të Zveçanit në Kosovë, është luajtur të enjten në një nga fushat e qendrës sportive të Federatës së Futbollit të Serbisë në Stara Pazova. U takuan e ashtuquajtura Trepça me klubin e madh beogradas, Cërvena Zvezda.

Ashtu siç pritej, fitore të thellë ka shënuar Zvezda me shifrat 8:0. Ndeshja i takoi 1\16 të finales të Kupës së Serbisë në futboll. Klubi ilegal “Trepça” garon në një nga ligat e ulëta të Serbisë, ndërsa selinë e ka në Mitrovicën Veriore.

“Trepça” ishte vendase në këtë takim dhe ka planifikuar ta organizojë atë në stadiumin ku luan si nikoqire, në Zhitkoc, shkruan Koha Ditore. Por delegacioni i Cërvena Zvezdës është ndalur në kufi të Kosovës me Serbinë dhe nuk është lejuar të futet në Kosovë, në bazë të një vendimi të autoriteteve të vendit.

Në këtë çështje është përzier edhe FIFA, që e kishte inkurajuar FFK-në që të tërhiqte kërkesën e bërë për të ndaluar Zvezdën në kufi dhe kështu të bëjë të mundur zhvillimin e ndeshjes. Por FFK-ja nuk hoqi dorë nga kërkesa dhe Zvezda u ndal në kufirin mes Serbisë e Kosovës. Zvezda ka luajtur të enjten pa lojtarët kryesorë të saj.

“Më vjen shumë mirë që kemi luajtur ndaj ‘Trepçës’. Edhe më mirë do të më vinte të luanim atje, në mesin e bashkëvendësve tanë”, ka thënë trajneri i Cërvena Zvezdës, Vladan Milojeviq.