Editoriale

Ja kush duhet të jetë kryetar i ri i LDK-së

03/09/2021 17:00
nga:MUHAMET BYTYÇI

Improvizimet për formimin e Qeverisë së Avdullah Hotit, pakënaqësia për qeverisjen e Kosovën në shumë vite si dhe zhgënjimi masiv me pandeminë, janë vetëm disa faktorë që kosovarët dolën dhe votuan masivisht tri subjekte politike opozitare të futura në një listë: Vetëvendosjen, Listën Vjosa dhe Alternativën, përballë të gjitha partive të tjera që kishin qeverisur vendin në 20 vitet e fundit. Ani pse në këtë qeverisje, përfaqësuesit nga Lista Vjosa, Alternativa e Kusarit, e shumë të aderuar në VV, ishin bashkëpjesëmarrës.

Por, nga këto zgjedhje epilogu që duket qartazi është që zgjedhjet e 14 shkurtit nxorën një fitues të madh LVV dhe një humbës të madh LDK-në. Kjo situatë është e mjaftueshme që udhëheqja e LDK-së të marrë përgjegjësinë për rezultatet.

Sigurisht që ‘kur thyhet qerrja, ka rrugë sa të duash’, thotë populli. Qerrja është thyer tashmë, dhe përgjegjësit duhet ta paguajnë dëmin, qoftë edhe kur e dimë që nuk është krejt i tyre.

Personalisht konsideroj se Avdullah Hoti ka bërë punë të mira në Qeveri, veçanërisht në politikën e jashtme si kryeministër, por qytetaret gjykuan ndryshe. Ata ishin të thyer nga pritjet që kishin

ndërtuar për ‘koalicionin e shpresës’ VV-LDK, të vitit 2019. Kjo thyerje, shto edhe pandeminë, bashkë me improvizimet për një qeveri që mezi rrinte në këmbë, i ka kushtuar shtrenjtë LDK-së. Aq shtrenjtë sa që nxori rezultatin më të keq në historinë e zgjedhjeve si parti.

Tani LDK-ja, udhëheqja e saj, mund të kenë 100 argumente, por janë të pa mjaftueshme. LDK -ja duhet të reformohet. LDK-ja nuk mund të jetë më konkurrente vetëm me emrin e Ibrahim Rugovës, aq më shumë kur sot nuk po e ndajmë dot shapin nga sheqeri dhe ‘rugovistë janë bërë të gjithë’. Apo më saktë, s’po dihet kush çka është.

Në këtë situatë duhen reforma të thella, LDK-ja duhet të gjejë rrugën për të dalë nga kriza ku e ka kurthuar veten për shumë arsye. Ibrahim Rugova në LDK duhet të jetë vetëm element frymëzimi e vlerë historike. Ai nuk të bënë më partinë e as nuk t’i fiton zgjedhjet. Madje as nuk të duhet më aso lloj partie, as nuk është e kohës e as nuk të jep rezultate, sepse as Kosova më nuk është në atë fazë.

Çka është Reforma në LDK?

Nëse i biem shkurt, Reforma është nëse LDK-ja e ruan bazën dhe njerëzit që kanë bërë shumë për të dhe nxjerrë figura të reja për LDK-

në e së ardhmes. Asaj i duhet një projekt të ri dhe me vizion për një LDK që do të ballafaqohet në një konkurrencë që dallon shumë nga ajo e para 10 apo 15 viteve.

Një LDK dinamike, që punon shumë. Nuk është më koha e LDK-së së komunikatave për media shabllon dhe e zyreve të pluhurosura që hapen vetëm në kohë zgjedhjesh. Është kohë e politikave kuadrovike.

LDK-ja duhet të ketë në gjirin e saj edhe përvojën e Lutfi Hazirit, edhe imazhin, qasjen, energjinë e besimin ne publik që ka sot Lumir Abdixhiku. LDK ja duhet të ketë në gjirin e saj edhe përvojën e Gazmend Muhaxherit e lidershipin e tij në Pejë, por edhe imazhin e përkushtimin e Ilir Feratit në Istog. LDK-ja duhet të ketë edhe përvojën e sakrificën për LDK të Agim Veliut në Podujevë, por edhe profesionalizmin dhe energjinë, imazhin dhe besimin e Flamur Ukë Bytyçit në Suharekë. LDK-ja duhet te ketë në mesin e saj edhe përvojën e Imri Ahmetit në Lipjan, por edhe konsistencën, përkushtimin, besimin e imazhin e Lirije Kajtazit në Gjilan.

I mora disa emra, por LDK-ja ka edhe shumë emra te tjerë të vlefshëm për të bërë reforma e për t’ia dhënë një mundësi të re vetes.

Është me rendesi ta rikujtojmë se LDK-ja nuk e ka rezultatin e fundit rezultat vetëm të qeverisjes së fundit, por e ka prej kohesh, duke qenë e sigurt që një mbështetje në popull për të është në cilëndo situatë. Në këtë situatë ku është LDK-ja, nëse reformat nuk janë të thella, përmbajtësore dhe me strategji të qartë për të ardhmen e saj, rënia vetëm sa do të vazhdoj.

Kryetari i ri i LDK-së duke u nisur nga ajo që u përshkrua më lartë, duhet të ketë dy objektiva kryesore për ta nxjerrë LDK-në nga kurthimi i saj shumëvjeçar. E para punë që duhet të bëjë është qartësimi i mirëfilltë ideologjik si qendër e djathtë dhe shtrirja e këtij diskursi të anëtarët e saj dhe të mbështetësit e qytetarët e Kosovës – arsyeja pse është tha çka përfaqëson ky subjekt politik. E dyta është tek politikat kuadrovike të LDK-së. Nuk është koha që bëhet politikë e organizim partiak (me gjithë respektin për të kaluarën), me figura si: Adem Salihu, Milihate Termkollin, Besa Gaxherri, Naser Rugovën e shumë si këta.

LDK-së i duhet një gjeneratë e re si moshë e si mendësi që e kthen besimin në LDK. Politika është edhe besim, besim ku një parti, një organizim, një formacion politik apo edhe një individ merr besimin dhe e shndërron në të mirë të përbashkët.

Krejt në fund, kandidati më i përshtatshëm për një reformë në LDK sot nga publiku shihet Lumir Abdixhiku. Ky është kandidati që i duhet LDK-së. Anëtarët e LDK-së duhet ta mbështesin Lumirin dhe kjo do t’i ndihmonte në qartësimin e rrugës për rikthimin e LDK-së. Por, përtej asaj çka ka ndodhur, anëtarët e LDK-së duhet ta mbështesin Lumirin e së ardhmes dhe jo atë të dy viteve të heshtjes.

Vazhdoj të besoj që LDK-ja si formacion i qendrës së djathtë, nëse bënë reforma të thella me ato që theksova më lartë, i duhet skenës së Kosovës. Aq më shumë që sot duhet organizim opozitar e përpjekje për ta ruajtur demokracinë në vendin tonë. Nuk është koha për improvizime, por për një reformë të thellë në LDK.