Lajme

Izraeli paralajmëron se sulmi ndaj Iranit do të jetë vdekjeprurës dhe ‘befasues’

10/10/2024 07:18
nga:Y I

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, ka thënë të mërkurën se sulmi i Izraelit kundër Iranit do të jetë “vdekjeprurës, i saktë dhe befasues”.

Ai i bëri këto komente teksa kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, bisedoi të mërkurën përmes telefonit me presidentin amerikan, Joe Biden.

Biseda telefonike, e konfirmuar nga të dy shtetet, ishte e para mes Bidenit dhe Netanyahut prej muajit gusht dhe përkon me përshkallëzimin e madh të konfliktit të Izraelit me Iranin dhe me Hezbollahun, grupin libanez të mbështetur nga Irani.

Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.

Lindja e Mesme është në teh pasi Izraeli është zotuar se do të përgjigjet ndaj Iranit për sulmin raketor që Teherani e kreu ndaj tij në shenjë hakmarrjeje për veprimet ushtarake të Izraelit në Liban.

Raportohet se sulmi iranian nuk shkaktoi viktima në Izrael dhe Uashingtoni e quajti të paefektshëm.

Pasi e cilësoi si të dështuar sulmin raketor nga Iranit më 1 tetor, Gallant tha të mërkurën në një video të lëshuar nga zyra e tij: “Kushdo që na sulmon, do të lëndohet dhe do ta paguajë shtrenjtë. Sulmi ynë do të jetë vdekjeprurës, i saktë dhe mbi të gjitha, befasues. Ata nuk do ta kuptojnë se çfarë ndodhi dhe si ndodhi, ata do t’i shohin pasojat”.

Netanyahu është zotuar se armiku i tij i përbetuar, Irani, do ta paguajë shtrenjtë për sulmin raketor, ndërsa Teherani ka thënë se do të përgjigjet ashpër për çdo hakmarrje nga Izraeli, duke rritur frikën për një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Marrëdhëniet midis Bidenit dhe Netanyahut kanë qenë të tensionuara, për shkak të mënyrës se si lideri izraelit e ka menaxhuar luftën në Gazë dhe konfliktin me Hezbollahun.

Gallant anuloi një vizitë të mërkurën në Pentagon, tha Pentagoni. Gallant tha në një deklaratë se e kishte shtyrë vizitën me kërkesë të Netanyahut deri pas bisedës së kryeministrit me Bidenin.

Irani i hodhi qindra raketat drejt Izraelit më 1 tetor, duke e përshkallëzuar konfliktin midis dy vendeve. Izraeli ka kohë që po mendon se si të përgjigjet ndaj sulmit iranian, të cilin Shtetet e Bashkuara e ndihmuan ta ndalojë.

/Euronews Albania/