Izraeli dhe Hezbollahu kanë arritur marrëveshje për armëpushim, pasi kabineti i sigurisë i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, e miratoi marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, të martën vonë.
Lajmi u bë i ditur nga zyra e Netanyahut dhe nga presidenti amerikan, Joe Biden.
Në ndërkohë, avionët luftarakë izraelitë e bombarduan Bejrutin dhe periferitë e tij jugore. Sipas autoriteteve lokale, të paktën 24 njerëz u vranë në sulme në të gjithë vendin, ndërsa Izraeli la të kuptohej se synon t’i vazhdojë sulmet ndaj Hezbollahut para se armëpushimi të hyjë në fuqi në orën 4 të mëngjesit, sipas orës lokale, të mërkurën.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, duke folur në Uashington, e quajti marrëveshjen “lajm të mirë” dhe tha se administrata e tij do të bëjë përpjekje shtesë për një armëpushim në Gazë.
Armëpushimi mes Izraelit dhe Hezbollahut shënon hapin e parë të madh drejt përfundimit të trazirave në nivel rajonal, të shkaktuara nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023. Por, kjo nuk e adreson luftën shkatërruese në Gazë.
Izraeli thotë se do ta sulmojë Hezbollahun me “gjithë forcën” e tij, nëse e shkel armëpushimin.
“Ne do ta zbatojmë marrëveshjen dhe do të përgjigjemi me forcë ndaj çdo shkeljeje. Së bashku, ne do të vazhdojmë deri në arritjen e fitores”, tha Netanyahu në një adresim televiziv më herët.
Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.
Ky armëpushim nuk ndikon në luftën e Izraelit kundër Hamasit në Rripin e Gazës, e cila nuk po tregon shenja se mund të përfundojë. Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Izraeli e ka kërkuar të drejtën e tij për të vepruar nëse Hezbollah i shkel detyrimet e tij. Zyrtarët libanezë kanë refuzuar ta përfshijnë këtë në propozim. Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, këmbënguli të martën se ushtria do ta godiste Hezbollahun nëse forca paqeruajtëse e OKB-së, e njohur si UNIFIL, nuk ofron “zbatim efektiv” të marrëveshjes.
“Nëse ju nuk veproni, ne do të veprojmë, dhe me forcë të madhe”, tha ai, duke folur me të dërguarën speciale të OKB-së, Jeanine Hennis-Plasschaert.
Derisa kabineti izraelit u mblodh për ta diskutuar propozimin për armëpushim, avionët luftarakë të Izraelit e goditën një ndërtesë banimi në qendër të Bejrutit, si dhe lëshuan urdhra të rinj për evakuim për 20 ndërtesa në periferitë jugore të kryeqytetit të Libanit.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, la të kuptohej se do të ketë më shumë sulme, duke thënë se janë lëshuar urdhra për rreth 20 ndërtesa në periferitë jugore të Bejrutit, si dhe një paralajmërim për qytezën jugore Naqoura, në të cilën ndodhet selia qendrore e misionit paqeruajtës të OKB-së, UNIFIL.
Konflikti midis Izraelit dhe Hezbollahut shpërtheu një vit më parë kur grupi i mbështetur nga Irani filloi të hidhte raketa në veri të Izraelit në mbështetje të grupit militant palestinez Hamas në fillim të luftës në Gaza.
Në muajt e fundit, konflikti është përshkallëzuar, pasi Izraeli është duke e bombarduar pareshtur jugun e Libanit, periferitë jugore të Bejrutit dhe Luginën Beka, duke vrarë shumë nga udhëheqësit kryesorë të Hezbollahut dhe duke dërguar trupa tokësore përtej kufirit.
Nga ana e tij, Hezbollah ka hedhur raketa më thellë brenda Izraelit.
Operacioni i zgjeruar i Izraelit i ka zhvendosur më shumë se 1.2 milion njerëz, sipas qeverisë libaneze, e cila thotë se më shumë se 3.760 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 10.000 janë plagosur gjatë një viti luftimesh.
Raketat e Hezbollahut kanë vrarë të paktën 50 njerëz në Izrael, më shumë se gjysma e tyre civilë, sipas autoriteteve izraelite./rel/