Lajme

Islami: Sulmi në ‘Ibër Lepenc’ është akt i terrorizmit shtetëror të Serbisë, po e dëshmon aktakuza

12/09/2025 18:18
nga:Y I

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, J.V., D.V. dhe I.D., për sulmin e rëndë ndaj kanalit të ujësjellësit “Ibër Lepenc”, ngjarje që ndodhi më 29 nëntor 2024 në fshatin Varagë të Zubin Potokut.

Sipas aktakuzës, të pandehurit përballen me disa akuza të rënda, përfshirë “kryerjen e veprës terroriste”, “rrezikimin e rendit kushtetues” përmes shkatërrimit të infrastrukturës publike, “armëmbajtje pa leje” dhe, për njërin prej tyre, “spiunazh”.

Sipas hetimeve, J.V. dhe D.V., në bashkëpunim me persona të tjerë ende të panjohur, kanë vendosur rreth 20 kilogram eksploziv të llojit TNT brenda kanalit “Ibër Lepenc”. Aktivizimi i lëndës shpërthyese u bë përmes një çante të lidhur me një shtyllë betoni, e cila, sapo u shkëput, shpërtheu dhe shkaktoi dëme të rënda në strukturën e kanalit. Pasojat ishin të menjëhershme: ndërprerje e furnizimit me ujë të pijshëm, rrezikim i prodhimit të energjisë elektrike dhe dëm ekonomik për ndërmarrjen “Ibër Lepenc” që kap vlerën mbi 376 mijë euro.

Prokuroria përshkruan edhe një element tjetër kritik: të pandehurit zotëronin armë pa leje, ndërsa J.V. akuzohet se ka vepruar si agjent i rekrutuar nga Shërbimi Informativ Ushtarak i Serbisë, duke mbledhur informacione të klasifikuara me qëllim përdorimi në aktivitete kundërligjore brenda Kosovës.

Duke komentuar rastin në FIVE të TV Dukagjinit, eksperti i sigurisë Avni Islami e cilësoi ngjarjen si terrorizëm shtetëror të Serbisë, duke theksuar përfshirjen e drejtpërdrejtë të strukturave serbe në planifikimin dhe ekzekutimin e sulmit.

“Prandaj, në këtë rast kemi të bëjmë me terrorizëm shtetërorë të Serbisë. Ngase në këtë akt terrorist në Ibër-Lepec është i involvuar vetë shteti i Serbisë”, ka thënë Islami.

“Për shkak në mesin e arrestuarve e kemi edhe një oficer të larët të shërbimet inteligjent dhe kundërzbulimit ushtarak. Dhe tashmë këto hetim kanë çuar edhe të një operacion, që operacioni është zhvilluar nga shërbimi inteligjent serb. Dhe për këtë rast lexohet se për këtë rast kanë marrë pjesë edhe disa persona. Pra, vetëm tre janë identifikuar dhe është ngritur aktakuzë. Çka do të thotë se një operacion që është kryer në mënyrë profesionale e lidh drejtpërdrejti Serbinë”, ka shtuar Islami.