Opinion

Islami politik dhe pakënaqësitë e tij

06/29/2019 18:14
nga:Sead Zimeri

Islami që nga fillimi ka qenë lëvizje politike që përqëllimonte ndryshimin e shoqërisë pagane arabe fillimisht përmes kritikës dhe reformave të disa traditave që ekzistonin vetëm në saje të forcës dhe shtypjes, e pastaj edhe përmes përdorimit të dhunës. Elitat politike të asaj kohe megjithatë nuk do ta mirëkuptojë predikimin islam në mënyrë paqësore, pasi që ata shpejtë do ta kuptojnë që brenda një diskursi të tillë egalitar fshehet një koncept radikal politik revolucionar që do ta shkatërrojë rendin ekzistues të atëhershëm. Një lëvizje politike që shtron pyetje delegjitimuese të normave që arsyetojnë rendin ekzistues, e që nga shkapërderdhja e tij e shpejtë mund të kuptojmë që ishte i tëri i padrejtë dhe nuk përmbante arsye morale brenda vetes, nëse arrinë të mobilizojë ithtarë (besimtarë) mjaftushëm shkatërron secilin rend që ngrihet dhe mbahet me forcë. Prandaj edhe do të fillojë persekutimin e muslimanëve të parë që ta shuajnë çdo shpresë për ndonjë ndryshim të rendit shoqëror. Islami filloi si lëvizje reformatore por përfundoi si lëvizje revolucionare. Ndoshta është më e saktë të thuhet që islami filloi si lëvizje revolucionare, ndërsa reforma ishte thjeshtë tërheqje taktike nga metodat tjera për përmbysjen e rendit shoqëror. Sidoqoftë, ky zhvillim nuk u diktua nga lartë siç përmendet në librat fetare me karakter eskatologjik, por nga rrethanat dhe kushtet në të cilat vepruan muslimanët e parë. Por pavarësisht kushteve, gjeneza e islamit është tërësisht politike; po të mos ishte e tille, ai kurrë nuk do të arrinte susksesin që arriti.

Kështu që ndarja mes islamit si politikë dhe islamit si fe është ndarje e re, e imponuar mbi të. As në gjenezë dhe as historikisht islami nuk është perceptuar në atë formë. Është e rëndësishme që ta kuptojmë dimensionin historik të tij sepse pa një kuptim të tillë nuk kuptohen as islami i reduktuar tërësisht në aspektin eskatologjik dhe atë privat, as muslimanët që lëngojnë mes modernitetit dhe traditës, dhe as islami politik që është reakcion i pastër ndaj një moderniteti që bëri fenë të parëndësishëm, së paku si burim i njohurive të sakta, dhe si formë e organizimit politik të shoqërisë. Islami politik është pra reakcion ndaj ndarjes që imponon moderniteti përmes sekularizimit të jetës politike. Ai reagon kundër reduktimit apo leximit të islamit vetëm si çështje private, që duhet të mbahet në shtëpi.

Ajo që quhet islam politik është pra një përpjekje politike që përqëllimon dy gjëra, të pandara nga njëra tjetra: e para, t’ia kthejë islamit rolin e tij historik në formimin e shoqërive muslimane, dhe e dyta, t’ia thyej modernitetit kurrizin. Islami politik pra është lëvizje politike bashkëkohore kundër-moderniste që mohon tërë modernitetin si filozofi të jetës, e sidomos tkurrjen e rolit të fesë në sferën publike.

Çështja është që islami politik nuk ka të ardhme në ato vende ku moderniteti është bërë pjesë e jetës politike të njeriut. Është e paimagjinueshme për një njeri modern, në kuptimin e plotë të kësaj fjale, t’i pranojë premisat e islamit politik. Askush nuk e pranon një premisë rezultati përfundimtar i të cilit çon në vetëshkatërrim. Islami politik pra në shoqëritë moderne është përpjekje e konsumuar, përpjekje regresive dhe a priori e dënuar me dështim. Por islami politik mund të ketë ardhmëri në vendet ku moderniteti është formë pa përmbajtje, në ato vende ku moderniteti është, apo perceptohet si, imponim i një modeli të huaj të jetës.

Islami politik nuk e ka pranuar modernitetin pasi që në modernitet ai nuk ka vend, prej nga edhe rrjedh natyra e dhunshme e tij. Kjo në fakt është cilësia që e shquan dhe dallon islamin politik sot nga islami historik. Për islamin historik kjo ndarje nuk ishte problem pasi që ajo nuk ekzistonte në nivel që është thelluar në modernitet, prandaj edhe ishte tolerant ndaj të tjerëve dhe zhvilloi një model të udhëheqjes politike dhe një model juridik që jo vetëm toleronte por madje i nxiste ithtarët e grupeve tjera të zhvillojnë sistemet juridike të pavarura të tyre. Kjo ishte në një kohë kur feja kishte rol dominant në jetën publike. Për islamin politik aktual situata është krejt ndryshe. Dhuna është pjesë e pandashme e sistemit të tyre: edhe kur nuk përdorin dhunën ajo strukturon horizontin e tyre politik. Kjo vie nga fakti që ata e kuptojnë fare mirë që ata nuk kanë vend në modernitet dhe e vetmja mënyrë për të gjetur vend aty është përmes dhunës.

Të mos keqkuptohem, islami politik nuk ka asgjë të përbashkët me atë që po cilësohet si islam konservator. Konservatorët janë ata që e kanë pranuar premisën kryesore të modernitetit, ndarjen e privates nga publikeja dhe kërkojnë që kjo ndarje të mos cënohet, që autoriteti publik të mos ndërhyjë në sferën private. Islami politik në këtë kuptim mund të jetë armiku më i madh i tyre.

Për ta mposhtur islamin politik nuk është e mjaftueshme vetëm riinterpretimi i islamit por, dhe paraprakisht, kërkohet thellimi i vetëdijes moderne. Por njëkohësisht duhet kuptuar që islami politik është shprehje e zhgënjimit dhe e dështimit të modernitetit, të premtimeve të tij. Ekziston islami politik sepse moderniteti nuk i trajtoi të gjithë barabartë, sepse disa i kolonizoi e disa të tjerë i bëri të paprekshëm. Njeriu kërkon ta mposhtë shtypjen dhe nëse shtypja i vjen përmes modernitetit ai do të kërkojë ta mposht atë dhe armët e rezistencës natyrisht që do t’i kërkojë në të kaluarën e tij. Islami politik ndërkohë operon me një koncept romantik të të kaluarës islamike, dhe kjo vetëm sa ia shton karakterin komik, që përfundon në tragji-komedi, kërkesave të tyre.

Ajo që duhet kuptuar ndërkohë është që çështja nuk është që islami politik e keqinterpreton islamin. Unë madje do të thoja që janë modernistët ata që e keqinterpretojnë islamin, sidomos ata që pa kurrfarë vetëdije kritike historike flasim për islamin e “vërtetë” kur është plotësisht e qartë që ata angazhonen në interpretime plotësisht të rrejshme, interpretime anakronike, dhe, siç dihet, interpretimet e tilla mund të kenë ndonjë peshë ideologjike por nuk mbartin kurrfarë vlere epistemike. Tragjedia e islamit politik nuk qëndron në keqinterpretimin e islamit, por në rezistencën e tij kundër modernitetit dhe insistimi se islami mund të implementohet edhe sot në formën që u implementua dikur. Islami politik, me një fjalë, nuk është politik në kuptimin që një lëvizje politike është politike, përfshirë këtu edhe islamin fillestar si lëvizje politike, por është politik në një mënyrë tërësisht apolitike. Islami politik asnjëherë nuk ka bërë përpjekje serioze intelektuale dhe politike ta ndihmojë organizimin politik të muslimanëve, që i merr seriozisht sfidat dhe kushtet në të cilat jetojnë muslimanët, hegjemoninë kapitaliste botërore përmes globalizmit ekonomik dhe kulturor, që kërkon një rishtqyrtim radikal të kësaj situate e jo shabllone historike të gatshme. Nuk ka ofruar zgjidhje për asnjë problem me të cilin muslimanët ballafaqohen sot. Ky është iluzioni që duhet braktisur në mënyrë që islami të lirohet edhe nga format politike të së kaluarës edhe nga reduktimet e tij në modernitet që pastaj projektojnë në të kaluarën ëndërra të tilla si islami i vërtetë. Ndoshta zgjidhja e vetme është të përsëritet impulsi i tij universal parimor fillestar për t’i luftuar disa forma të shtypjes dhe dhunës që i bëhen njeriut sot. Të çlirohet impulsi i tij original nga format e ngurtësuara politike, intelektuale dhe ligjore që e mbajnë atë peng dhe të e lënë të lirë të marrë formën politike që ia detyron moderniteti, fillimisht pranimin e pakusht të pluralizmit politik. Islami filloi si lëvizje emancipuese, por format historike të emancipimit islamik nuk janë të përshtatshme në kushte të pluralizmit politik modern. Këtë e kanë kuptuar shumica e muslimanëve, prandaj edhe kërkesat për kthim te islami, tek sheriati, janë zakonisht kërkesa për riinterpretim të fesë që të përshtatet me kushtet aktuale.