Sporti

Ish lojtari i Shqipërisë reagon ashpër ndaj FSHF-së: Ende i kemi të hapura plagët e luftës, nëse bojkotohen ndeshjet është me plotë meritë

09/27/2024 13:39
nga:E K

“Një komb një kombëtare” –  slogani që bashkon të gjithë trojet shqiptare në momentin kur luan Shqipëria në fushën e gjelbërt.

Një kombëtare me lojtarë nga të gjitha vendet shqiptare, nga Lugina e Preshevës, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria u dhuron sport-dashësve emocione nga më të mëdhat, teksa kënga “Mora fjalë” jehon në çdo cep të Tiranës në ditët e ndeshjeve të “Kuqezinjëve”.

Megjithatë, ky slogan po mbetet ‘nën hije’ nga veprimet e fundit të FSHF.

FSHF ka vendosur që bashkë me Federaten e Futbollit të Serbisë të organizojnë Kampionatin Evropian për të rinj U21.

Ky vendim ka ngjallur reagime të shumta nga opinoni publik në Kosovë dhe jo vetëm.

Blerim Rrustemi, ish lojtar i Shqipërisë në një intervistë për GazetaBlic Sport ka reaguar lidhur me këtë vendim të FSHF-së.

Sipas Rrustemit kjo iniciativë e Federatës së Futbollit të Shqipërisë nuk është aspak e mirë dhe se tifozët dhe lojtarët nga Kosova mund të ndihen të ofenduar nga ky organizim.

“Nuk është aspak gjë e mirë. Në fund të fundit futbolli është futboll, por ky organizim nuk më pëlqen aspak, duke pasur parasysh se çka kanë bërë ata kundër neve shqiptarëve në përgjithësi, por sidomos neve të Kosovës. Normalisht që është ofendim për lojtarët kosovarë që kanë pasur punë me ta, dikush nuk ka pasë punë me ta, sidomos për neve të Kosovës është shumë e rëndë. Serbia normalisht që e ka bërë këtë kundër Kosovës dhe për të nxitur debat mes shqiptarëve, më mirë do ishte që Shqipëria ta organizonte këtë kompeticion me Kosovën sepse kishte me shty FFK dhe futbollin e Kosovës përpara, jo të na anashkaloj neve dhe ta bëjnë me armikun tonë këtë punë. Në fund të fundit sporti është sport ata e dijnë më mirë se çka bëjnë.

Është me plotë meritë nëse tifozat e bojkotojnë Kombëtaren e Shqipërisë, protestë pse mos të bëjmë protestë. Lojtari është lojtar, ata janë viktimë. Nuk duhet të flejmë është mirë me u tregu atyre që këto iniciativa që po ndërrmarin nuk janë të drejta.

Dy federatat ‘shqip-folëse është dashtë me u kordinu me u ul njëra me tjetrën me pyet a të pengon ky veprim me e bë, por është për keqardhje pasi duket një veprim i njëanshëm, kështuqë është për keqardhje pasi ne të Kosovës ende i kemi të hapura plagët e luftës. Njerëzit ende nuk e dijnë ku i kanë të afërmit e zhdukur, ata vazhdimisht na provokojnë rrjedhimisht ky veprim nuk është i mirë, kjo tregon që shqiptarët në përgjithësi nuk e dëgjojmë njëri-tjetrin, nuk punojmë bashkë”, tha Rrustemi për GazetaBlic Sport.