Euro2024

Ish-sulmuesi, Fernando Torres: Kjo Spanjë, e njëjtë me atë të 2008-ës

06/27/2024 18:11
nga:Mergim Rreci

Ecuria e shkëlqyer e Spanjës në fazën në grupe në “Euro 2024” ka bërë që të gjithë të flasin për ekipin e Luis de la Fuentes, për më shumë akoma, janë shtuar gjithnjë e më shumë krahasimet me Spanjën e vitit 2008, ekipin e drejtuar nga Luis Aragones që nisi ciklin e artë të futbollit spanjoll me titullin europian e që kulmoi me Visente del Bosken, që fitoi një botëror (2010) dhe një tjetër Europian (2012).

Spanja futet në 1/8 e finaleve me autoritetin e tre fitoreve të saj, siç ndodhi 16 vite më parë dhe si atëherë, me një ndeshje të tretë në të cilën trajneri mundi të bënte rrotacion të plotë për të menaxhuar më mirë ngarkesën fizike të lojtarëve të tij.

Kur flitet për titullin e vitit 2008 në Vienës, nuk ka zë më autoritar se ai i Fernando Torres, heroit të Praterit, autorit të golit të fitores kundër Gjermanisë që varrosi 44 vjet zhgënjime.

“El Ninjo”, ka shikuar prapa për të gjetur ngjashmëri të Spanjës aktuale me atë të vitit 2008. “Ka disa ngjashmëri, siç është mungesa e të qenit favorit. Si lojtarët ashtu edhe trajneri, me zhvillimin e turneut shkëlqyen, entuziazmi pushtoi vendin, duke përfshirë tifozët dhe mediat. Sigurisht që kjo skuadër më kujton vitin 2008. Është shumë e ngjashme”, argumentoi Fernando Torres.