Ish portieri i kombëtares së Kosovës, Kushtrim Mushica beson se vetëm ndryshimi i trajnerit tek ‘Dardanët’ nuk do të jetë i mjaftueshëm për t’u kthyer tek rezultatet pozitive, pasi kështu na ka mësuar e kaluara.
Mushica thotë se ndryshimet organizative janë të nevojshme që të dalim nga kjo krizë.
Në një prononcim për dokumentarin e GazetaBlic, ‘Expose’ thotë se gjatë këtij pushimi, FFK duhet të bashkëpunojë me ekspertë dhe të kuptojë se ku ka qenë dështimi, e të përmirësohen gabimet.
“Ndërrimi i trajnerit është bërë tash e sa vite. Janë ndërruar disa selektor dhe nuk ka rezultuar suksesshëm. Kjo na bënë të mendojmë që në kombëtare në aspektin organizativ duhet të ketë ndryshime më të gjera. Nëse do ishim në një dhomë dhe dëshirojmë të bëjmë ndryshime, nëse vetëm ndriqimin e ndërrojmë atëherë nuk kemi bërë asgjë pasi interieri po jetë ai që është. Përveç ndërrimit të selektorit duhet të bëhet edhe një ndryshim më i gjerë se vetëm aq. Në të kaluarën duke ndërruar vetëm selektorin na ka treguar që kjo nuk është e mjaftueshme. Duhet të marrim masa edhe në këtë aspekt. Në këtë periudhë ku është një pushim i gjatë shpresoj se Federata udhëheqësit e tyre të bashkëpunojnë me ekspertë të ndryshëm me ekspertë të fushës organizative dhe të shohin se ku kanë çaluar, ku janë gabimet gjatë këtyre viteve dhe të marrin masat të sjellin dhe të plotësojnë vende të reja, t’i bashkangjiten njerëz të fushave të ndryshme që janë kuadro më të mirë, në atë mënyrë të plotësohen ato hapësirat, gabimet dhe dështimet që janë bërë gjatë rrugës deri këtu”, tha fillimisht Kushtrim Mushica për ‘Expose’.
Më pas ish portieri i njohur kosovar ka theksuar se një gjë tjetër negative në këto kualifikuese ka qenë edhe gjendja e fushës, e cila pa pikë dyshimi i ka dhuruar shtetit tonë një pasqyrë negative.
“Për t’a vulosur dështimin ka qenë fusha që në ndeshjen e fundit rezultoi të jetë në atë gjendje. Normalisht që edhe vetë ekipit tonë i ka penguar të zhvillojnë ndeshje më të mira. Mirëpo normalisht kjo tashmë sigurisht që i ka zgjuar nga ‘gjumi’ disa akterë të tjerë jashtë fushe që kanë përgjegjësi. Është bërë paralajmërimi që do të investohet dhe shpresoj që të bëhet sa më shpejt që është e mundur, gjithashtu përveç investimit nga përvoja që kemi si kombëtare si shtet, ai investim që do bëhet të kemi kujdes ta ruajmë ta mirëmbajmë që të jetë fusha në gjendje të mirë dhe të mos kemi më raste ku fusha të jetë në gjendje të tillë në sytë e botës. Sigurisht nuk kanë munguar edhe komentet e lojtarëve që kanë luajtur këtu sidomos ata të Izraelit që ishin këtu, ku pas ndeshjes e quanin fushën si diçka të jashtëzakonshme për të keq, andaj them të mos ndodhë më kjo, është pasqyrë e keqe për vendin tonë”, përfundoi Mushica.
/GazetaBlic