Anëtari i Kryesisë së Partiosë Demokratike të Kosovës dhe ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka thënë sot në konferencë për media se Qeveria aktuale e ka lënë Kosovën tërësisht të papërgatitur për t’u përballë me pasojat e krizës energjetike.
“Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e saj më të thellë për gjendjen e krijuar në vendin tonë, veçanërisht kjo që lidhet me situatën e furnizimit të rregullt me energji elektrike, e cila po bën që qytetarët tanë t’i vuajnë pasojat e rënda dhe po krijon pasiguri të madhe tek të gjithë. Qeveria aktuale e ka lënë Kosovën tërësisht të papërgatitur për t’u përballë me pasojat e krizës energjetike, të cilën e kemi paralajmëruar shumë muaj më parë, e edhe përkundër këtyre paralajmërimeve, fatkeqësisht ajo as sot e kësaj dite nuk e ka ndërmarrë ndonjë veprim”, tha Stavileci.
Duke folur për krizën energjetike që ka kapluar vendin, ai tha se gjatë muajve të fundit, mbarë Evropa ka përjetuar rritje marramendëse të çmimeve të energjisë elektrike, ndërsa Qeveria e Kosovës është treguar neglizhente dhe nuk ka ndërmarrë asnjë masë për ta adresuar këtë krizë, e cila afrohej me shpejtësi.
“Paralajmërimi ynë se kjo krizë e kërcënon seriozisht furnizimin e rregullt dhe me çmime të përballueshme të qytetarëve dhe bizneseve, duke rrezikuar kështu stabilitetin ekonomik, mirëqenien e qytetarëve dhe vetë sigurinë kombëtare doli realitet, ndërkaq Qeveria, jo që nuk ka bërë ndonjë veprim konkret, por, përkundrazi, aq shumë e ka neglizhuar situatën sa që çdo ditë po shohim duke kolapsuar një pjesë e sistemit, siç ndodhi sot edhe me ngrohtoren e kryeqytetit”, tha Stavileci.
Ndryshe nga Qeveria e Kosovës, sipas Stavilecit, qeveritë e shumë vendeve prej kohësh janë vënë në lëvizje dhe kanë marrë masa që të përballen me pasojat e rënda nga shkurtimet në furnizim nga burime të ndryshme të energjisë.
“Kjo situatë përkeqëson mirëqenien e familjeve dhe reflekton negativisht në xhepin e secilit konsumator si rezultat i shtrenjtimit të të gjitha produkteve. Po ashtu, rrezikon t’i dëmtojë shumë rëndë bizneset kosovare që edhe ashtu ende nuk e kanë marrë veten nga kriza e pandemisë”, tha ai.
Stavileci tha se Qeveria e Kosovës jo vetëm që është treguar e paaftë dhe e papërgjegjshme për t’i paraprirë zgjidhjeve të gjendjes së vështirë energjetike të dimrit, por edhe ka ndërmarrë veprime të dëmshme në fushën e energjisë, me dështimin, refuzimin dhe bllokimin e projekteve strategjike, të cilat do ta zgjidhnin çështjen e sigurisë së furnizimit.
“As refuzimi as bllokimi as adresimi i fajësisë për të kaluarën nuk prodhojnë rrymë e ngrohje për qytetarët tanë dhe për familjet e bizneset prodhuese të Kosovës”, tha ai.
Prandaj, Stavileci tha se PDK i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të tregohet e përgjegjshme dhe të angazhohet menjëherë në koordinim me aktorët e tjerë të sektorit të energjisë për aprovimin e këtyre masave si pako emergjente ndaj situatës me qëllim që të përballohet sezoni i dimrit si dhe të evitohet shoku tarifor para Prillit të vitit të ardhshëm kur aprovohet tarifa vjetore.
Pasi foli për krizën energjetike dhe keqmenaxhimin e qeverisë aktuale me këtë sfidë, Staqvileci propozoi në emër të PDK-së që menjëherë të ndërmerren këto masa:
-Të shpallet gjendje emergjente e furnizimit me energji, sipas Ligjit për Energji, neni 25.
-Të vendoset çmimi tavan për tregun e brendshëm dhe devijimet nga ky çmim të subvencionohen nga qeveria.
-T’i kthejë në konsumatorë të rregulluar të gjithë ata të cilët janë në tregun e lirë, me qëllim që të bëhet socializimi i kostos së tyre të importit të energjisë për periudhën sa kjo krizë do të jetë prezente.
-T’i hiqet tantiema në qymyr KEK-ut dhe proporcionalisht të ulet çmimi i shitjës së kësaj Korporate me qëllim që ky përfitim të bartet tek konsumatori final.
-Të trajtohet me prioritet debllokimi i linjave të transmetimit me Serbinë (të cilat janë bllokuar nga dhjetori i vitit të kaluar) në mënyrë që të evitohen kostot e larta të transmisionit, si dhe të lehtësohet tregtimi me energji.