Lajme

Ish-këshilltari i Thaçit: Nuk pres që Osmani do të jetë e kontrolluar nga Qeveria, janë kompetenca të ndara

04/06/2021 19:42
nga:Gazeta Blic

Ish këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Ardian Arifaj, ka komentuar mbi ceremoninë e sotme të marrjes së detyrës së presidentes Vjosa Osmani, duke thënë se ishte për keqardhje mungesa e Thaçit në dorëzim të detyrës, por që megjithatë u shpreh se ajo në mënyrë simbolike e shënoi këtë proces.

“E vërejta që ka munguar diçka sot, por opozitarët i dhanë sqarimet e tyre se pse kanë munguar në ceremoni, megjithatë kjo nuk e zbehë rolin e saj. Është në duart e Osmanit që të jetë e suksesshme e ta kryejë detyrën e vet e me përgjegjësi ashtu si e përcakton Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, deklaroi Arifaj në Klan Kosova.

“Sfidat mbesin të njëjta si ato të ish presidentit, si në fushën ndërkombëtare, përfaqësimit të Kosovës, konsolidimit të shtetit të Kosovës ndërkombëtarisht, pastaj dialogu, pra sfidat janë të njëjta dhe mund të presim që do të vazhdojë kjo sfidë dhe presidentja tashmë të vazhdojë aty ku e ka lënë Thaçi”.

“Nuk pres që do të ketë ndonjë sfide të jashtëzakonshme, këtë herë shpresojmë në një stabilitet më të madh të Qeverisë të mundohen për një bashkërendim më të madh mes Qeverisë e Presidencës kur përfaqësohet Kosova në skenën ndërkombëtare. Aty nuk shoh sfidë e problem”.“Roli i presidentes nuk është asnjëherë ai i noterit. Ajo e thotë fjalën përfundimtare qoftë te ligjet, etj, pra presidenca është zyra që e jep vulën përfundimtare për shumë vendime, p.sh. te ligji për OJQ-të presidenti e ka kthyer në Kuvend pas një lobimi të suksesshëm të shoqërisë civile dhe ai ligj është shtyrë në Kuvend”.

“Presidenti ka një mandat bukur të gjerë. Nuk pres që Osmani të jetë një notere, ashtu siç disa pretendojnë për këtë pozitë politike, por që do ta merr shumë seriozisht rolin si presidente dhe besoj që do ta kryejë këtë detyre sa më mirë e në përputhje me mandatin”.

“Unë personalisht nuk pres që ajo do të jetë e kontrolluar nga Qeveria, përkundrazi, ndoshta e koordinuar po, por jo detyrimisht e kontrolluar. Janë kompetenca të ndara – Qeveria është ekzekutivi dhe s’ka shumë pika që mund të kishte konflikt mes Qeverisë e Presidencës, por nëse do të ketë, atëherë i mbetet Osmanit të dëshmojë që është mbi partitë politike dhe që do të veprojë në mbrojte të interesave të Kosovës”.

“Është ende herët që duhet të dëshmojë që ta ruajë integritetin e postit që e mban. E kemi tani për shembull emërimin e drejtorit të AKI-së, i cili kërkon nënshkrimin e të dyve, pra të presidentes dhe të kryeministrit. Se sa do ta ruajnë pavarësinë e tyre dhe kushtetutshmërinë e çdo posti që e mbajnë, shumë shpejt do të mund ta shohim”.

“Nuk është më ushtruese e detyrës dhe tash fillon sfida e vërtetë. Nuk është më pjesë e asnjë partie politike dhe duhet të mundohet t’i bëjë bashkë të gjitha partitë politike për momentet që dalin nga vet Kushtetuta. Duhet të provojë t’i bëjë bashkë dhe në fund votuesi të vendosë se kush ka pasur faj e kush duhet të dënohet”.

“Tani fillon ballafaqimi me probleme të vërteta, sikur pandemia, kriza ekonomike, dialogu, etj., aty do ta shohim se sa do të jetë secili në krye të detyrës qoftë si president, kryeministër e opozitë”.