Qeveria Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka miratuar propozimin e kandidatëve për Bord të Agjencisë së Kosovës për Privatizim.
Në mesin e emrave që Qeveria ka propozuar për t’u bërë pjesë e këtij bordi është edhe një anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Mentor Hyseni, i propozuar nga Qeveria si anëtar i Bordit të AKP-së, ka qenë kandidat për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019.
I njëjti nuk kishte arritur ta fitojë postin e deputetit, por gjatë Qeverisë Kurti 1, ishte emëruar Kryesues i Bordit të Përkohshëm të Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi Prishtina”.
Mentor Hyseni ishte anëtarësuar në Lëvizjen Vetëvendosje në gusht të vitit 2019, dy muaj para zgjedhjeve nacionale.
Ardhjen e tij në këtë parti, kryetari i VV-së, Albin Kurti e kishte prezantuar si vlerë të shtuar për të përmirësuar Politikat Publike, Ekonominë dhe Financat Publike në vendin tonë.
Ndryshe, emrat e tjerë të cilët Qeveria ka propozuar për t’u bërë anëtarë të Bordit të AKP-së: Nazmi Mikollovci, Suzana Dautaj, Vjollca Jashari, Violeta Arifi Krasniqi, Xhevdet Neziraj, Halim Muqolli dhe Avni Ajdini.