Lajme

Ish-gjenerali amerikan: Do të zbarkoja kudo në botë me FSK-në

11/05/2021 21:28
nga:M K

Një vit pas formimit, FSK kishte nevojë të madhe për t’u forcuar në mënyrë që të bëhet një goxha ushtri. Për këtë, iu kërkua ndihmë Amerikës. Ish ministri i FSK-së, Agim Çeku, e luti Departamentin e Shtetit për t’ia gjetur një partner ushtarak Forcës së Kosovës.

Kjo nuk doli të ketë qenë punë e rëndë për Washingtonin. Shumë shtete federale të Amerikës garuan për ta fituar statusin e partnerit të FSK-së. Mes tyre edhe Iowa.

“Kërkesa shkoi edhe në Departamentin e Mbrojtjes, të cilët kishin nominimet e shteteve që kërkonin një partner dhe Iowa garonte me 18 shtete, dhe për fat të mirë tonin, ne u zgjodhëm partneri i Kosovës. Ishte shteti i 65 me të cilin lidhëm marrëveshje bashkëpunimi që nga viti 1993” – thotë në një intervistë për Klan Kosova, Timothy Orr – ish gjeneral i Gardës Kombëtare të Iowas.

Nga 2011-ta, kur nisi partneriteti FSK-Garda e Iowas, Kosova përfitoi shumë dhe këtë e dëshmoi edhe festimi i dekadës së parë, me shumë ceremoni e pritje. Gjenerali amerikan që i priu këtij bashkëpunimi, gjenerali Orr tregoi disa nga to.

“Ne kemi pasur shkëmbime të shumta, grupe individuale dhe formacione më të mëdha, dhe më duhet të them se kemi pritur me mijëra ushtarë, vetëm gjatë kohës sime kemi pasur 25 deri në 30 shkëmbime”.

Sipas Orr, arritja më e madhe është zbarkimi i pesë ushtarëve të FSK-së në Kuvajt.

“Absolutisht që do të zbarkonim kudo me FSK-në. S’mund të flas në emër të gjeneral Corell, por me gjithë ato çfarë kam parë dhe lexuar dhe bisedat që kam pasur me FSK-në, jam shumë krenar me ushtarët e FSK-së dhe atë që kanë arritur. Dua vetëm t’ju them Faleminderit njerëzve në Kosovë që besuan në mision”.

Misioni në Kuvajt, sipas Orr, do t’i ndihmojë shumë Kosovës edhe për anëtarësim në NATO.

“Epo nuk mund ta di me saktësi, por e di se FSK është në rrugën e duhur, dhe fakti që FSK zbarkoi bashkë me Gardën Kombëtare të Iowas është tejet domethënëse, sepse edhe kombet tjera që iu bashkuan NATO-s zbarkuan bashkë me amerikanët, shembull në Afganistan dhe Irak. Dhe 10 vjet më parë as që do t’i shkonte dikujt në komunitetin ndërkombëtar të fliste për këtë, por sot është krejt situatë tjetër”.

Deri më 2018, FSK nuk ishte ushtri. U bë e tillë pas njohjes dhe vizës që për këtë dha Washingtoni, falë këshillave dhe fjalëve të mira të Orr dhe përfaqësuesve tjerë të gardës së Iowas. Kjo e fundit ndihmoi edhe në hartimin e planit strategjik të FSK-së për transformimin që nisi më 2018.