Sporti

Ish futbollisti i Partizanit dhe Tiranës analizon derbin e djeshëm, poashtu dekalrohet për të ardhmen e tij në Kosovë

12/14/2019 19:54
nga:Mergim Rreci

Elvis Prençi është njëri ndër futbollistët e shumtë që në karrierën e tij ka luajtur për të dyja skuadrat e Tiranës, Partizanin dhe Tiranën.

Ai ishte në shkallët e stadiumit për t’a përcjellu super ndeshjen e djeshme, ku Tirana triumfoj 2 me 1 ndaj Partizanit.

Në një prononcim për Gazetën “SHESHI” ai flet për këtë ndeshje, teksa vlerëson lartë triumfin e Tiranës në një fazë shumë delikate dhe të rëndësishme për të vazhduar garën drejt titullit kampion.

“Po, patjetër që isha në stadium. Ishte një ndeshje shumë interesante dhe shumë e luftuar. Fitorja e Tiranës në derbi do ti shërbejë skuadrës shumë në aspektin psikologjik për tu ngritur dhe për të qenë pretendent për titullin kampion, pasi si çdo edicion tjetër ka ulje dhe ngritje të formës. Kjo fitore mund të shërbejë për tu konsoliduar dhe një motiv shtesë për ndeshjet e radhës”, deklaroi fillimisht Prençi.

Por, për ishin e Tiranës dhe Partizanit, favorit këtë edicion është skuadra e Kukësit, pasi që konsideron se ‘verilindorët’ kanë një skuadër më të konsoliduar dhe më të pjekur.

“Ndeshjet e Kategorisë Superiore i përcjell kur të kam mundësi nga TV. Po bëhet një kampionat shumë i luftuar me disa ekipe pretendente, por për mendimin tim Kukësi më duket ekip më i konsolideruar dhe më i pjekur”, shtoi ndër të tjerash ai

Teksa analizonte derbin dhe edicionin në Kategorinë Superiore, 26 vjeçari foli gjithashtu për stinorin vjeshtor që sapo përfundoi dhe të ardhmen e tij.

Rezultatet e Llapit, skuadrës aktuale të Prençit nuk ishin ashtu siç e kishin menduar, por që synon se edicioni i ardhshëm do të jetë më i fortë.

“Sa i përket Llapit është për të ardhur keq pozicionimi që e kemi në tabelë duke marrë parasysh investimet që janë bërë në klub. Mendoj që ndoshta kemi merituar diçka më shumë në klasifikim, gjithnjë duke iu referuar edhe ndeshjeve të mira që kemi bërë, por kështu e ka futbolli, gjithsesi shpresoj që viti i ri do ta gjejë Llapi akoma më të fortë”, theksoi Prençi.

Mbrojtësi nga Peshkopia konfirmon edhe qëndrimin e tij në “Zahir Pajaziti” për të paktën edhe gjashtë muaj.

“Jam i fokusuar në skuadrën time, pasi që kam edhe gjashtë muaj kontratë dhe përveçse ndonjë ofertë jashtë Kosovës, nuk kam arsye të tjera për ta menduar largimin dhe për ta ndryshuar ambientin”, përfundoi Prençi.

Elvis Prençi i cili ishte gjithashtu pjesë e moshave të kombëtares shqiptare, ai ka karrierë të pasur në Kategorinë Superiore.

E nisi te Tirana, e vazhdoi me Kukësin, Partizanin, Teutën, Korabin dhe Lushnjën, për të përfunduar një vit më parë te skuadra e Llapit.