Lajme

Ish deputetja e AAK-së për deklaratën e Trump: Qeveria të reflektojë, dëmtoi raportet me SHBA-të

06/16/2025 20:52
nga:G B

Ish‑deputetja e AAK‑së, Albana Bytyçi, ka komentuar deklaratën e presidentit amerikan, Donald Trump, se do t’i kthehet çështjes Kosovë-Serbi.

Ajo në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Kosova duhet të reflektojë pas kësaj deklarate.

“Deklaratat e ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, se do të riangazhohet për zgjidhjen e çështjes Kosovë–Serbi, paraqesin një moment vendimtar që vendi ynë të reflektojë thellë dhe të rivlerësojë qëndrimet e veta”, ka thënë ajo.

Bytyçi vlerëson se qeveria Kurti i ka dëmtuar raportet me SHBA-të.

“Qeveria e Albin Kurtit, me veprimet e saj të pakoordinuara, që dëmtuan raportet me Shtetet e Bashkuara — aleatin tonë kryesor — e ka dobësuar ndjeshëm pozitën e Kosovës si aktor i besueshëm në bisedimet që na presin. Sanksionet që u vendosën, qëndrimet kritike të Uashingtonit dhe izolimi që pasoi, dëshmojnë se vendi ynë po humb përkrahjen që gëzonte nga aleatët perëndimorë”, është shprehur ish deputetja për Gazeta Blic.

Ajo shton se aktualisht Kosova duhet të rinisë dialogun në koordinim me aleatët.

“Në këtë moment, Kosova përballet me sfida që kërkojnë lidership të pjekur, përgjegjshmëri politike dhe vizion afatgjatë. Dialogu me Serbinë duhet të riniset në koordinim të plotë me aleatët, pa lëshime që dëmtojnë integritetin, stabilitetin dhe sovranitetin tonë”, ka potencuar Bytyçi.

Ish deputetja i ka bërë thirrje për reflektim qeverisë, që të përmirësojë raportet me SHBA-të, derisa ka thënë se Kurti duhet të largohet nga pengesa e Kosovës drejt BATO-s e BE-së.

“I bëj thirrje Qeverisë në detyrë që të reflektojë, të përmirësojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe të përgatitet me profesionalizëm për sfidat që na presin, në shërbim të interesit kombëtar të Kosovës.

Republika e Kosovës ka nevojë për qëndrueshmëri, unitet dhe lidership që vendos të parën të ardhmen e vendit dhe në këtë pikë Kurti duhet të largohet nga pengesa kryesore e Kosovës në rrugën e saj drejt NATO-s dhe BE-së”, ka deklaruar Albana Bytyçi./Gazeta Blic/

“Ballkani me plagë të hapura”/ Pas mesazhit të Trump, Haliti paralajmëron “ngjarje të paparashikueshme”

Deklarata e Trump/ Izmaku: Kemi detyrim të krijojmë institucionet pa vonesa e lojëra politike – s’mund të sillemi si shtet që nuk funksionon