Lajme

Ish-deputeti i LDK-së: Mos e votoni rrëzimin e Qeverisë, Grenell nuk është mik i Kosovës!

03/24/2020 21:38
nga:Norë Kelmendi

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adem Salihaj, përmes një shkrimi në ‘facebook’, i ka bërë apel deputetëve të Kosovës, të mos votojnë rrëzimin e qeverisë Kurti.

Ai ka shtuar se Richard Grenell nuk është një mik i Kosovës dhe i shqipëtarëve.

Shkrimi i plotë:

Apel deputetëve të Kuvendit të Kosovës

Mos bini pre e lojërave djallëzore për shkatërrimin e Kosovës
Të mos e rrëzosh qeverinë tënde, e cila është formuar me vullnetin e sovranit, nuk do te thotë se je kundër Amerikës. Amerikën në Kosovë e përfaqëson Philip Kosnet, jo Richard Grenell. Përfaqësuesi i SHBA-ve në Kosovë, ambasadori Kosnett po j’u bën apel të mos e rrëzoni qeverinë, por ta ruani integritetin e saj. Grenell mund të jetë mik i madh i Vuçiqit, mund te jetë mik i madh i Thaçit, Grenell mund të jetë dashamir i madh i pasurisë qindra miliardshe të Trepçës. Por, Grenell kurrë nuk mund të jetë mik i Kosovës dhe i shqiptarëve. Miku kurrë nuk t’ia shti flakën shtëpisë, kur ti me krejt familjen tënde je duke u ballafaquar me pandeminë e koronavirusit, e cila të kanoset me shfarosjen e familjes. Ai që ta bën këtë, kurrë nuk mund të jetë mik i yti. Miku i vërtetë ta ruan familjen dhe shtëpinë. Qëndrimin e Amerikës e përfaqëson ambasadori amerikan në Prishtinë. Ambasada amerikane në Prishtinë është përfaqësia zyrtare e Amerikës. Po e përsëris:
ambasadori amerikan Philip Kosnet po thotë mos e rrëzoni qeverinë, ruani integritetin e saj.

Joe Biden, Angela Merkel, Anglia, të gjithë miqtë tanë të vërtetë, po j’u bëjnë apel të mos e rrëzoni qeverinë. Joe Biden është njëri prej miqëve tanë më të mëdhenj në SHBA.
Deputetët e LDK-së nuk duhet të paraqiten aqë naivë sikur nuk po e kuptojnë se vota sot për rrëzimin e kësaj qeverie, eshtë votë nesër për koalicion me PDK-në dhe Listën serbe. Dhe qeveria e këtij koalicioni LDK-PDK-Lista serbe do ta nënshkruajë marrëveshjen me Serbinë për ta copëtuar Kosovën. Po dihet se me këtë plan, Kosova e humb veriun, por jo vetem atë. Kosova e humb edhe Anamoravën, duke përfshirë në tërësi komunën e Kllokotit, gjysmën e komunës së Gjilanit dhe krejt komunën e Novo Bërdës me gjithë miniera, deri në Pasjak, pra ngjitur me Gjilanin.

Bashkë me veriun do shkojë edhe Trepça, gjoja me nje status special. Pjesës së mbetur do t’i ngulen disa thika në formë eksterritorialiteti te kishave dhe manastireve serbe.
Grenelli si “miku” i madh i Kosovës do t’i përgëzonte pastsj “liderët” e Kosovës per “lidership” të guximshëm, të cilët marrin vendime të “mëdha”, duke e shkatërruar popullin e shtetin e tyre dhe duke ia dhënë Serbisë gati gjysmën e Kosovës.

Pas gjithë kësaj, do të mund të shkaktohej një revoltë aqë e madhe, sa që Kosovën mund ta përfshijë kaosi dhe anarkia, deri te mundësia e trazirave dhe luftës vëllavrasëse, me një gjakderdhje të re. Do të shkatërrohej jo vetëm shteti, por Kosova nuk do të mbetet më as si nocion gjeografik.

Pra, tash po j’u drejtohem edhe të gjithë deputetëve të partive tjera shqiptare. Mos e bëni këtë veprim, mos e shkatërroni Kosovën, mos e shkatërroni popullin dhe shtetin tuaj! Mos e realizoni skenarin më ogurzi të Vuçiqit, Grenellit dhe Thaçit! Mos mendoni se këtë do t’jua falë ky popull. Emrat tuaj do të shkruhen me turp në historinë e Kosovës.

P.s.Më poshtë po publikoj dokumente dhe foto nga takimet dhe miqësia ime me amerikanët, sepse miqësia ime me ta ka qenë e thellë dhe e përhershme.

Më vonë do te publikoj edhe foto nga vizita në State Department, Shtëpinë e Bardhë dhe Departmentet qeveritare federale.

04/06/2020 22:17

Arban Abrashi flet për formimin e Qeverisë së re dhe emrin e kandidatit për kryeministër nga LDK