Lajme

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës thirret nga Specialja, niset për në Hagë

01/21/2020 12:47
nga:B. D

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Zafir Berisha sot ka arritur në Hagë për intervistim nga prokurorët e Gjykatës Speciale.

Zafir Berisha ish-komandant i UÇK-së ka pranuar ftesë nga Gjykata Speciale për intervistim në Hagë por që i njëjti nuk ka mundur të udhëtojë në mungesë të vizës. Ish-deputeti i Nismës SocialDemokrate e kishte bërë publike ftesën nga Gjykata Speciale më 11 dhjetor të vitit 2019.

Ai sot ka arritur në Hagë për t’u intervistuar nga Dhomat e Specializuara por nuk ka treguar se në çfarë cilësie.

“Po sot kam ardhur në Hagë, ftesa më është bërë si ushtar i UÇK-së pse kam qenë në luftë kundër regjimit të Serbisë”, ka thënë Berisha.

Berisha kishte thënë se ftesa nga Gjykata Speciale në Hagë të jetë e fundit që mundohet për ta njollosur luftën e UÇK-së.

Para disa ditësh edhe deputeti i PDK-së, Elmi Reçica i cili ishte një nga eprorët e lartë të UÇK-së, ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale.

Shumë pjesëtarë të UÇK-së duke filluar nga zinxhiri komandues i Shtabit të Përgjithshëm e deri tek ushtarët kishin marrë ftesa përgjatë gjithë vitit 2019.

Një pjesë e madhe e ftesave të ardhura nga Dhomat e Specializuara, pjesëtarët e UÇK-së i kanë marrë në cilësinë e dëshmitarëve e shumë të tjerë janë thirrur edhe si të dyshuar.

Formimit të Gjykatës Speciale i parapriu një rezolutë në Këshillin e Evropës që kërkonte hetime mbi supozimet e senatorit zviceran Dick Marty, i cili pretendonte se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte dhe kanë trafikuar organe të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Që nga themelimi i Gjykatës Speciale në gusht të vitit 2015 pas votimit në Kuvendin e Kosovës, mbi 250 ftesa janë dërguar nga kjo Gjykatë për pjesëtarë të UÇK-së, deputetë, ministra e qytetarë të thjeshtë.

I pari që kishte marrë ftesën për t’u intervistuar ishte komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa-Remi. Ai kishte marrë ftesë në dhjetor të vitit 2018 kurse ishte intervistuar në janar të vitit 2019./express

06/02/2020 21:27

Jakup Krasniqi e mbështet Murat Jasharin për kryeministër!