Lajme

Isa Mustafa tha se LDK do ta votonte një qeveri të pakicës, por Ismet Beqiri thotë se kjo qeveri do të ishte zgjidhja më e keqe

01/31/2020 00:31
nga:Gazeta Blic

Ismet Beqiri, anëtar i Kryesisë së LDK-së, në Interkativ ka deklaruar se nuk preferon një qeveri të pakicës, madje thotë se një zgjidhje e tillë është edhe më e keqe se zgjedhjet.

Ai thotë se duhet të thellohet besimi ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së, përndryshe edhe arritja e marrëveshjes do të ishte e parëndësishme.

“Do të jetë shumë me rëndësi si do të qeverisim dhe a duhet të thellohet ky besim, sepse përndryshe kot e bëjmë marrëveshjen. Aktualisht dy funksionet më të larta të ndahen në mënyrë të barabartë, që së paku të kemi një adresë të përfaqësimit. Vetëm pjesëmarrja në qeveri nuk është e mjaftueshme pa pasur një post përfaqësues. Nuk është punë kushtëzimi, por nëse gjejmë gjuhë të përbashkët është çështje e mirëbesimit”, ka thënë Beqiri.

Tutje Beqiri ka thënë se është e rëndësishme që të tejkalohet kjo bllokadë e vogël, derisa thekson se nuk do të votojnë qeverinë Kurti blanko.

“Vetëm çështja e presidentit ishte problem, kurse ne tash po pajtohemi që pas një viti t’ia kthejmë pozitën e kryeparlamentarit. Nuk është zgjidhje rritja e numrit të ministrive. Për ne është e rëndësishme që të bëjmë përpjekje maksimale që të tejkalojmë këtë bllokadë të vogël që kemi. Është situatë tjetër, më 3 shkurt. Në momentin kur shkohet në Kuvend e votohet pa marrëveshje dhe një qeveri pa LDK-në mendoj se blanko nuk votohet dhe nuk do e votojmë. Qeveria e pakicës nuk është zgjidhje, e ndoshta është me e keqja, e edhe më e keqe se të shkohet në zgjedhje”, ka thënë Beqiri.

Tutje ai ka shtuar se është optimist se Kurti do të reflektojë.

“Dua të besoj se Kurti do të reflektojë dhe hënën të kemi marrëveshje. Nëse eventualisht arrihet marrëveshja, që besojmë se është balancë i pushtetit. Ndonjëherë transparenca, pa e kryer dakordimin, po ka kundërefekt. Para opinionit është më mirë të dilet kur të kryhet puna. E mendoj se më mirë është të mos deklarohet hiq, kur s’ka marrëveshje”, është shprehur ai.

Sipas tij ky është një rast historik për Vetëvendosjen që të qeverisë.

“Nëse një subjekt politik, i vetmi ka bërë kompromise, është LDK-ja. Jemi subjekt që ka dëshmuar që është në shërbim të qytetarëve edhe kur duket se nuk është mirë. Nuk varet sa oferta i bënë, por çfarë i bën. Është një rast i mirë për Vetëvendosjen që ta kenë kryeministrin, pasi sikur ta kishim na vota më tepër përgjegjësia do të ishte e jona. Nuk është çështje sakrifice, heqja dorë nga posti i kryeparlamentarit, pasi në këtë rast po e humb postin e kryeministrit”, ka thënë Beqiri.

Beqiri tutje ka shtuar se presin që këto dy ditë se çfarë do të ndodhë, duke shtuar se do të diskutojnë me forumet e partisë për hapat e mëtutjeshëm.

Ai thotë se edhe nëse ka edhe nëse s’ka marrëveshje deputetët e LDK-së do të jenë në seancë.

Prognoza e Daut Haradinajt për zgjedhjet e reja

04/06/2020 20:19

Eurodeputetja i përgjigjet Mustafës: Të gjithë e përkrahin integrimin në BE – jo vetëm të majtët