Lajme

Isa Mustafa flet për emrat e ministrave të Qeverisë Hoti

05/31/2020 12:51
nga:Gazeta Blic

I nominuari për kryeministër të Kosovës, nga radhët e LDK’së, Avdullah Hoti, sot do të propozojë emrat e ministrave të cilët më pas do të votohen në Kryesinë e partisë. Kryesia e LDK’së do të mblidhet sot në orën 16:00 për këtë çështje.

Kështu ka bërë të ditur, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

“E propozon sot z.Hoti, i nominuar për KM, një listë iniciale të kabinetit qeveritar nga LDK, pastaj vendosë Kryesia”, ka deklaruar Mustafa.

I pari i LDK’së ka shtuar se derisa Kryesia e LDK’së të marrë vendimin, asnjë emër i përmendur deri më tani për pjesë të kabinetit qeveritar, nuk është definitiv.

“Pa vendosë Kryesia e LDK-së, s’ka asnjë emër definitiv, përpos z. Hoti, për të cilin është vendosur më herët”, ka thënë Mustafa për Express.

Sot mblidhet Kryesia e LDK-së, diskutojnë përbërjen e Qeverisë

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të mblidhet sot në orën 16:00, për të diskutuar dhe votuar rreth përbërjes së kabinetit të ri qeveritar.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës të enjten ka vendosur me votë unanime që vendi nuk shkon në zgjedhje pas mocionit të mosbesimit, por hapet rruga për krijimin e qeverisë së re.

Gjykatësit kanë marrë vendim edhe sa i përket afatit që ka mandatari për krijimin e qeverisë, por pro kësaj kanë votuar 7 gjykatës, 2 kanë dalë kundër.

Presidenti Thaçi mandatoi më 30 prill Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për të formuar një qeveri të re dhe Lëvizja Vetëvendosje kërkoi nga Gjykata Kushtetuese që të vlerësojë kushtetutshmërinë e veprimit të presidentit.

Të gjitha partitë politike përveç Vetëvendosjes kanë kërkuar formimin e një qeverie të re ndërsa kanë theksuar se do të pranojnë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Lëvizja Vetëvendosje ndërkaq kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje, ndërsa kryetari i saj, Albin Kurti, ka thënë se kjo parti do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, përderisa një gjë e tillë do të jetë interpretim i Kushtetutës.

Ndërkaq, dje Gazeta Blic i ka publikuar emrat e ministrave nga LDK.

Zëvendëskryeministër i parë:

Hykmete Bajrami

Këta pritet të jenë emrat e ministrave:

– Vlora Dumoshi, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit,

-Agim Veliu, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike,

– Lumir Abdixhiku, Ministrinë e Financave dhe Transfereve,

– Arban Abrashi, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit,

– Armend Zemaj, Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural,

– Besian Mustafa, ministrinë e Integrimeve Evropiane

Nga AAK është do të jenë këta emra të ministrave:

– Besnik Tahiri, zëvendëskryeministër

– Selim Selimi, Ministria e Dejtësisë

– Meliza Haradinaj, Ministria e Jashtme– Ramë Lika, Ministria e Arsimit

– Blerim Kuçi, Ministria e Ekonomisë

Nisma do ta ketë një zëvendëskryeministër dhe dy ministri, aq sa do t’i ketë edhe Lista Serbe.

07/13/2020 18:57

Avdullah Hoti: Kishim vetëm dy mundësi që t’i përgjigjemi COVID-19