Irani konfirmoi të shtunën se Garda e saj Revolucionare kishte sekuestruar një cisternë në ujërat e Gjirit që mbante një ngarkesë me petrokimikate të destinuara për në Singapor për shkak të shkeljeve të dyshuara.
Një zyrtar amerikan dhe burime të sigurisë detare thanë të premten se forcat iraniane kapën cisternën e produkteve të naftës dhe e devijuan atë në ujërat territoriale iraniane.
Ky ishte raporti i parë që Teherani ka sekuestruar një cisternë që nga sulmet izraelito-amerikane ndaj Iranit në qershor, shkruan Reuters.
Televizioni shtetëror iranian lexoi një deklaratë nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) ku thuhej se “cisterna kishte shkelur rregullat për transportimin e ngarkesave të paautorizuara”.
Burime detare thanë se tankeri Talara, me flamur të Ishujve Marshall, po lundronte pranë brigjeve të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe po transportonte një ngarkesë nafte me përmbajtje të lartë squfuri përmes Oqeanit Indian, gjatë rrugës për në Singapor nga Sharjah në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Menaxheri i anijes, Columbia Shipmanagement, tha se humbi kontaktin me Talara të premten në mëngjes rreth 20 milje detare larg bregdetit të Khor Fakkan, Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ai shtoi se po punonte ngushtë me palët përkatëse, duke përfshirë agjencitë e sigurisë detare dhe pronarin e anijes, për të rivendosur kontaktin.


