Lajme

IPK: Rriten ankesat e qytetarëve ndaj zyrtarëve policorë

12/19/2024 11:18
nga:Y I

Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar rreth 21% më shumë ankesa nga qytetarët për zyrtarët policorë, krahasuar me vitin e kaluar.

Sipas këtij institucioni, ankesat vinë kryesisht si rezultat i “keqkomunikimit në mes të zyrtarëve policorë dhe qytetarëve e që në disa raste përfundon me përdorim të forcës”. Nga këto raste, IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e rreth 85 zyrtarëve policorë.

Gjatë këtij viti, IKP-ja ka pranuar rreth 1.900 ankesa për punën e policëve, thotë për KosovaPress, kryeshefi i këtij institucioni, Kushtrim Hodaj.

“Deri më tani, prej janarit, kemi pranuar rreth 1.900 ankesa dhe jemi në trendin që ndoshta deri në fund të vitit do të kalojë numrin 2 mijë të ankesave të qytetarëve ndaj Policisë për çështje dhe aspekte të ndryshme që ata mendojnë që të drejtat e tyre janë shkelur apo cenuar nga zyrtarët policor”, thotë ai.
Gjatë vitit 2024, IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e 85 zyrtarëve policorë, ndërkaq 21 të tjerë janë arrestuar.

Hodaj thotë se gjatë kësaj periudhe, kanë ngritur edhe 83 kallëzime penale.

“Ne kemi rekomanduar suspendimin e rreth 85 zyrtarëve policorë në raste të ndryshme të cilat ne kemi zhvilluar hetime penale, janë arrestuar 21 zyrtarë policorë dhe disa qytetarë që kanë qenë në raste të përbashkëta të dyshuarve me zyrtarët policorë. Kemi ngritur 83 kallëzime penale, dhjetëra raporte të veçanta dhe raporte informuese i kemi dorëzuar në prokuroritë kompetente”, thekson kryeshefi i IPK-së.
Regjioni i Prishtinës mbetet parashtruesi më i madh i ankesave, sipas Hodajt.

Për uljen e rasteve të incidenteve, Hodaj thotë se duhet të rriten kriteret në trajnimet bazike dhe pastaj të ketë ricertifikimit për çdo vit.

Kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës tha se për Policinë kanë rekomanduar rritje të kapaciteteve në mënyrë “që të zvogëlohet koha e reagimit nga momenti i njoftimit për ndonjë rast”./KP/