BLIC.TV

Intervistë ekskluzive me Ambasadorin Amerikan, Philip Kosnett: Zgjedhjet e reja, raportet me Amerikën dhe dialogu Kosovë-Serbi

01/25/2021 19:33
nga:A. R.

Gazeta Blic ka realizuar një intervistë ekskluzive me ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.

Në këtë intervistë, ambasadori amerikan flet për aktualitetin politik në Kosovë, zgjedhjet e reja të 14 shkurtit e qeverinë që pritet të formohet pas zgjedhjeve.

Kosnett përgjigjet në pyetjet e Astrit Gashit, rreth raporteve amerikane me liderët dhe partitë politike në Kosovë, temat si shkëmbimi i territoreve.

Kosnett flet për atë se çka pritet të ndryshojë administrata Biden sa i përket Kosovës, krahasimisht me atë që udhëhiqej nga Donald Trump.

Ambasadori amerikan flet edhe për dialogun Kosovë-Serbi, dhe se kur pritet të përfundojë.

A kanë vija të kuqe amerikanët për ndonjë lider në Kosovë dhe cilat duhet të jenë prioritetet e qeverisë së re, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Për këto dhe shumë të tjera, ndiqeni intervistën e plotë të ambasadorit Kosnett, dhënë për Gazeta Blic.

Gazeta Blic: Faleminderit shumë për mundësinë për t’ju intervistuar. Kjo është hera e parë që ju intervistoj si ambasador dhe kjo është mundësi e shkëlqyeshme për mediat online, sepse ne nuk jemi gazetë, por jemi media online. Ju faleminderit shumë për këtë mundësi.
Ambasadori Kosnett: Ju faleminderit.

Gazeta Blic: Do të dëshiroja t’ia filloj me inaugurimin e presidentit të ri në Shtetet e Bashkuara, z. Biden, që u bë javën e kaluar në Uashington. Cilat do të jenë prioritetet e politikës së jashtme të administratës së re?

Ambasadori Kosnett: Së pari, më lejoni të them se mendoj që inaugurimi i presidentit Biden në vetvete tregon fuqinë dhe qëndrueshmërinë e demokracisë amerikane. Demokracia amerikane u vë në shënjestër të sulmeve serioze që kulmuan me sulmin në ndërtesën e Kapitolit më 6 janar. Ishte çast shumë frikësues. Ishte sfida më e madhe kundër demokracisë amerikane në jetën time dhe e mbijetuam atë çast për shkak të fuqisë së institucioneve tona. Kishte njerëz që menduan se gjykatat do të dorëzoheshin përballë presionit politik. Kishte njerëz që menduan se Kongresi do të dorëzohej përballë presionit politik. Por, në fund, kjo nuk ndodhi. Pra, ishte çast shumë i fuqishëm kur presidenti Biden u inaugurua sipas planit më 20 janar.

Sa i përket pyetjes suaj për prioritetet e politikës së jashtme të administratës. Më lejoni të përqendrohem në atë se çka mund të presim se çfarë politike do të jetë për Kosovën dhe Ballkanin. Qasja e përgjithshme që qeveria amerikane ka pasur ndaj Ballkanit dhe Kosovës gjatë 20 viteve të shkuara në thelb ka qenë dypartiake, qoftë nëse kemi pasur president demokrat apo republikan. Qëllimet tona për Kosovën: zhvillim ekonomik, mundësi ekonomike për të rinjtë, integrim më i mirë dhe marrëdhënie paqësore me fqinjët e Kosovës, demokraci të fortë, sundim të ligjit, luftim të korrupsionit – këto qëllime në aspektin strategjik janë të njëjta qoftë nëse demokratët apo republikanët kanë kontrollin në Shtëpinë e Bardhë. Dhe pres që këto qëllime të përgjithshme të mbesin të njëjta. Përveç kësaj, Tony Blinken, që është i zgjedhuri për Sekretar të Shtetit i presidentit Biden, në mënyrë specifike ka thënë se ai duartrokit punën që administrata paraprake e kishte bërë lidhur me Kosovën dhe Serbinë. Pra, pres që …

Gazeta Blic: Nuk pritni asnjë ndryshim të politikës amerikane nga administrata paraprake?

Ambasadori Kosnett: Në atë aspekt, pres që në javët dhe muajt e ardhshëm do të mund të shohim ndonjë ndryshim për nismat specifike, programet specifike, por – dhe nuk dua të spekuloj, është shumë herët – por mendoj se ky është proces i konsultimeve të vijueshme brenda qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe ambasada amerikane është pjesë e tyre.

Gazeta Blic: Na thoni pak cilat janë ato ndryshime të politikave që mund t’i presim?

Ambasadori Kosnett: Do të duhet të pritni. Aspekti i përgjithshëm i saj ka gjasa të mos ndryshojë, por disa specifike ka mundësi të ndryshojnë. Dhe e di që të gjithë presin me padurim për ta ditur përgjigjen, por ky është proces në vijim e sipër. E kjo ndodh çdoherë që ka ndryshim të administratës. Ekipi i ri vjen, presidenti i ri merr udhëheqjen e politikës së jashtme dhe edhe pse ata i kanë menduar gjërat gjerë e gjatë para zgjedhjeve, sërish kemi procesin e konsultimeve që ndodh pas ndërrimit të qeverisë.

Gazeta Blic: Pas sulmeve në ndërtesën e Kapitolit, i pamë disa krahasime në mes të asaj çka ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës para 2-3 viteve, me gazin lotsjellës aty. A mendoni se këto dy gjëra krahasohen me njëra-tjetrën?

Ambasadori Kosnett: Mendoj se ekzistojnë disa dallime të mëdha në mes të këtyre dy ngjarjeve, por më duhet të theksoj se demokracia është e brishtë kudo, në të dy vendet. Nëse një demokraci si ajo në Shtetet e Bashkuara përballet me kërcënim të shkaktuar, sinqerisht, nga gënjeshtrat, nga përpjekjet për të manipuluar institucionet, atëherë kjo mund të ndodhë kudo. E siç e kam thënë edhe më parë, demokracia nuk është sport për shikues. I takon çdo qytetari të luajë rol në mbrojtjen e demokracisë. Tani, Kosova është në periudhën e zgjedhjeve, tensioni është i lartë, tensioni gjithmonë është i lartë gjatë periudhës së zgjedhjeve në Kosovë dhe mendoj se është thelbësore që të gjithë, nga i tërë spektri politik të marrë frymë, të ulë temperaturën, të përqendrohen më shumë në politikat e jo aq shumë në personalitetet dhe akuzat. Çka do të dëshiroja të ndodhë në Kosovë tani është që partitë të flasin për politikat e tyre. Çka po ju premtojnë njerëzve…

Gazeta Blic: Gjë që nuk po e shohim fare. Askush nuk po flet për politikat. Ende nuk kemi parë asnjë program politik apo diçka tjetër.

Ambasadori Kosnett: Po, dhe partitë duhet ta bëjnë këtë. Ato duhet t’ia shpjegojnë popullit të Kosovës cilat janë planet e tyre ekonomike, si dëshirojnë t’i jetësojnë mundësitë ekonomike, si do të përmirësojnë marrëdhëniet me fqinjët, si do ta luftojnë korrupsionin, si do ta promovojnë shëndetin publik. Në mes të këtyre presioneve politike nëpër botë, e kemi kërcënimin shumë serioz të Covid-19, që është në mesin tonë dhe veç pse tani kemi vaksinën, nuk do të thotë që kërcënimi ka kaluar. Pra, këto janë çështjet në të cilat do të dëshiroja të përqendrohen partitë politike.

Gazeta Blic: Z. Ambasador, do t’jua shtroj edhe një pyetje për dialogun dhe politikën amerikane, e pastaj të kalojmë te zgjedhjet tona. Dëshiroj t’ju pyes drejtpërdrejt për një çështje që kohë të gjatë është shtruar e debatuar në Kosovë dhe kjo ka të bëjë me politikën amerikane kundrejt dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Një çështje që është shtruar kohë të gjatë dhe ende diskutohet ka të bëjë me shkëmbimin e territorit si marrëveshje e mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. A mund t’na e thoni mendimin e Shteteve të Bashkuara? A kanë Shtetet e Bashkuara vija të kuqe për shkëmbimin e territorit si pjesë e ujdisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Ambasadori Kosnett: Sa ishte administrata e Trump-it në pushtet, natyrisht kjo ishte çështje shumë e nxehtë dhe ajo që thonim atëherë ishte se Shtetet e Bashkuara nuk ndiqnin në mënyrë aktive shkëmbimin e territorit dhe thamë se nëse populli, jo vetëm qeveria, por populli i Kosovës dhe i Serbisë arrijnë marrëveshje gjithëpërfshirëse që përfshinte ndonjë rregullim të kufirit, ne nuk do ta refuzonim atë menjëherë. Disa njerëz e kanë interpretuar këtë se kjo do të thotë që e përkrahnim shkëmbimin e territorit. Nuk e përkrahnim atë dhe administrata e Trump-it e ka thënë këtë vazhdimisht. Dëshiroj t’ua përkujtoj se kur z. Hoti dhe presidenti Vuçiq shkuan në Uashington, kishte njerëz që frikësoheshin që amerikanët do t’ua prezantonin një ‘çështje të gatshme’ me ndonjë plan që disi do të përfshinte shkëmbim të territorit. Dhe ne thamë që kjo nuk do të ndodhte dhe nuk ndodhi. Ne vazhdimisht kemi thënë, edhe unë kam thënë vazhdimisht që Shtetet e Bashkuara nuk do të mundohen të shtyjnë përpara një marrëveshje të papranueshme për popullin e Kosovës. E nëse administrata e Trump-it nuk e ka bërë këtë, askush nuk duhet të mendojë që administrata e Biden-it do të detyronte diçka mbi popullin e Kosovës.

Gazeta Blic: Pra, a kemi vija të kuqe për këtë apo nuk kemi?

Ambasadori Kosnett: Po përpiqem të shpjegoj më hollësisht. E kam thënë edhe më parë, nuk shoh asnjë arsye që të pres se do të ketë shkëmbim të territorit sepse duket qartazi e papranueshme për popullin e Kosovës. Dhe njerëzit vazhdojnë të pyesin për këtë dhe mendoj se ka çështje më relevante…

Gazeta Blic: Po, njerëzit janë të interesuar për këtë.

Ambasadori Kosnett: Po, por ka çështje më relevante për të menduar përkitazi me atë se si t’i përmirësojmë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe thjeshtë nuk e shoh shkëmbimin e territorit si çështje shqetësuese tani. E kuptoj pse ka qenë çështje në të kaluarën, por mendoj se nuk ka nevojë të brengoseni për të tani.

Gazeta Blic: Ju faleminderit shumë, z. ambasador. Të kalojmë pak te zgjedhjet dhe gjendjen përreth tyre. Ende nuk kemi parë programet e partive politike, planet e partive politike nëse do të jenë në qeveri, por po shohim debat të nxehtë përreth zgjedhjeve dhe veçanërisht rreth asaj se çka po ndodh me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Patëm një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe tani partitë nuk po e respektojnë atë. Njerëzit me dënime të formë së prerë ende janë në listën e kandidatëve për deputetë. Si reagoni ndaj këtyre zhvillimeve politike të javës së shkuar?

Ambasadori Kosnett: Mendoj se kjo është koha kur njerëzit duhet të respektojnë rolin e institucioneve, përfshirë të Gjykatës Supreme që të jetë arbitri i fundit i kësaj. Kosova ka institucione të forta ligjore. Për sa kohë që kam qenë në Kosovë, e kam qenë këtu herë pas here prej vitit 2003, kam dëgjuar shumë shqetësime të shprehura për sistemin gjyqësor, por kur jam kthyer në vitin 2018-n, më erdhi mirë që pashë se ishte arritur shumë përparim në organet e zbatimit të ligjit dhe të sistemit gjyqësor. Por, gjatë dy viteve të fundit, ende kam dëgjuar shumë akuza, që është e natyrshme, për presionin mbi sistemin gjyqësor nga të gjitha anët, nga të gjithë elementet e spektrit politik. E kjo është porosia ime: gjyqtarët duhet të lejohen ta kryejnë punën në mënyrë të ndershme dhe të paanshme. Porosia ime për gjyqtarët është: mos i kushtoni vëmendje politikës; mos i kushtoni vëmendje zhurmës; mos ua vini veshin lajmeve; duhet të çkyqni telefonat… Gjyqtarët duhet të kenë lirinë për ta bërë punën pa presion nga asnjë drejtim. Mendoj se ata kanë përgjegjësi, dhe kjo është përgjegjësi thelbësore, ndaj popullit të Kosovës. Ngjashëm, populli i Kosovës ka të drejtë të përgatitet për këto zgjedhje në atmosferë ku njerëzit përqendrohen në politikat [nuk dëgjohet] dhe në atë se çka partitë do t’ju ofrojnë atyre.

Gazeta Blic: Por, javën e kaluar pamë mospajtime mes partive politike pas dy vendimeve kundërthënëse. Vendimi i parë ishte nga Zyra e pavarur për Certifikimin e Partive Politike, që rekomandoi që të gjithë kandidatët, pavarësisht problemeve të tyre ligjore, do të duhej të certifikoheshin. Pastaj patëm votimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që nuk u pajtua me atë rekomandim dhe që tha se të gjithë kandidatët që kanë probleme me ligjin nuk duhet të lejohen në lista. Si i shihni ato mospajtime? Sepse një pjesë e njerëzve i sheh ato si presion politik për t’i hequr disa njerëz nga politika dhe nga gara, por ka të tjerë që e shohin atë si KQZ thjeshtë duke punuar në përputhje me ligjin.

Ambasadori Kosnett: Mendoj se institucionet gjyqësore janë ato që duhet t’i marrin këto vendime. Nuk jam gjyqtar…

Ambasadori Kosnett: Astrit, ambasadori i një shteti të huaj nuk vepron si gjykatë apeli. Po përqendrohemi që të sigurohemi që zgjedhjet do të jenë të lira dhe të drejta. Dhe të sigurohemi që zgjedhjet janë të lira dhe të drejta nuk ka të bëjë vetëm me vëzhgimin e tyre në ditën e zgjedhjeve. Dua të them se i përcjellim me shumë vëmendje dhe jo në mënyrë pasive çka po ndodh para ditës së zgjedhjeve dhe do t’i përcjellim me vëmendje se çka do të ndodhë pas ditës së zgjedhjeve. Por, nuk jemi vetëm shikues pasivë në këtë. Por, mendoj se nuk mund të zhvendosim rolin e gjykatave. Duhet t’i lëmë gjykatat ta bëjnë punën e tyre.

Gazeta Blic: Më duhet t’ju pyes sepse ka çështje që po debatohen publikisht në debate shumë të nxehta, në emisione televizive dhe kudo. Të shtunën, Vjosa Osmani, ushtruesja e detyrës së presidentit, kërcënoi se do ta shkarkonte kryesuesen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe kjo shkaktoi diskutime të mëdha në të gjitha emisionet televizive të shtunën dhe gazetat shkruan vetëm për këtë gjë. Disa njerëz e interpretuan këtë si ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punën e institucioneve të pavarura. Si e shihni këtë? Si e shihni kur politikanët japin deklarata politike për zgjedhjet? A duhet presidentja me të vërtetë të marrë qëndrim dhe të kërcënojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve? Si e konsideroni këtë? Ndoshta nuk e shihni si kërcënim.

Ambasadori Kosnett: Mendoj se institucionet…

Gazeta Blic: Ju lutem, më jepni një përgjigje.

Ambasadori Kosnett: Ju kam dhënë përgjigje. Institucionet e Kosovës, përfshirë gjykatat, përfshirë presidencën, të gjitha institucionet kanë rol kushtetues që duhet të luajnë, por kjo nuk është ndeshje futbolli dhe nuk do të komentoj kush çka ka thënë dhe kujt. Mendoj se është me rëndësi që të gjithë t’i ulin gjakrat dhe të ecin përpara e t’na lejojnë të gjithëve që të përqendrohemi në përmbajtjen e platformave të partive. Mirë? Shumë njerëz kanë dhënë shumë deklarata gjatë fundjavës dhe është koha të ri-përqendrohemi në politika dhe t’i lëmë të gjitha institucionet të bëjnë punën e tyre.

Gazeta Blic: Nuk po i shohim programet, por po i shohim deklaratat që nganjëherë janë nacionaliste për bashkim me Shqipërinë më shumë se për luftimin e korrupsionit dhe për ekonomi. Cili është komenti juaj lidhur me ato deklarata?

Ambasadori Kosnett: Komenti im për bashkimin me Shqipërinë ka qenë i pandryshueshëm. Ushtarët amerikanë nuk kanë luftuar – dhe disa prej tyre nuk kanë vdekur – për të krijuar Serbinë e Madhe dhe Shqipërinë e Madhe në Ballkan. Do të tërhiqja vëmendjen te Kushtetuta, që bën thirrje për shoqëri shumetnike me liri fetare për të gjithë. ShBA-ja është vend shumetnik dhe [nuk dëgjohet] edhe pas pothuaj 250 viteve, ne ende luftojmë të ndërtojmë shoqëri ku ka barazi para ligjit, mundësi të barabarta për të gjithë, ku grupet etnike dhe racat jetojnë në harmoni. Nuk është lehtë dhe siç e pamë, patëm pengesa, por ende po përpiqemi të ndërtojmë atë që etërit themelues e kanë quajtur “një union më të përsosur”. Do të më vinte mëri të shoh njerëzit në Kosovë duke hequr dorë nga kjo. Mendoj se Kosova përfiton që është shoqëri shumetnike, shumëfetare dhe bisedat për Shqipëri të Madhe, bisedat për Serbi të Madhe në Ballkan do të ishin dorëzim, do të ishin dështim dhe mendoj se kjo nuk është përgjigjja për problemet e vendit dhe të rajonit.

Gazeta Blic: Pyetje tjetër. I kemi zgjedhjet për Kuvend, më parë kemi pasur nominimet dhe të nominuarit për kryeministër, por këtë herë, për herë të parë, i kemi edhe të nominuarit për president të Kosovës. I kemi dy kandidatë: Vjosa Osmanin dhe Ramush Haradinaj. Si e shihni këtë dhe a duhet posti i presidentit të jetë pjesë e zgjedhjeve veçanërisht sepse në Kushtetutë, presidenti shihet si person që bashkon tërë popullin. Natyrisht nuk po ju kërkoj të flisni për emrat.

Ambasadori Kosnett: Nuk jam i sigurtë nëse e kuptova saktë pyetjen. E di që nuk po më pyetni kush duhet të jetë president, por çka saktë po pyetni?

Gazeta Blic: Kushtetuta thotë që presidenti i Kosovës duhet të jetë person që bashkon popullin, por tani kemi postin e presidentit në garë [nuk dëgjohet]

Ambasadori Kosnett: Më falni, pat pengesa në pamje.

Gazeta Blic: Por, besoj e kuptuat pyetjen.

Ambasadori Kosnett: Mendoj se po. Faleminderit, Astrit. Mendoj se çështja se çfarë roli kushtetues duhet të luajë presidenti dhe marrëdhënia ndërmjet presidentit dhe sistemit politik është çështje për popullin e Kosovës. Kushtetuta është dokument i gjallë. Në vendin tim shpesh e kemi amendamentuar Kushtetutën dhe nëse dikur në të ardhmen, populli i Kosovës dëshiron ta amendamentojë Kushtetutën e Kosovës, atëherë mendoj se ajo është temë legjitime për diskutim. Ta zgjeroj përgjigjen ndaj pyetjes suaj, mendoj se gjatë viteve e kemi parë që ka dykuptimësi në Kushtetutën e Kosovës, siç ka në çdo Kushtetutë – për këtë arsye e keni Gjykatën Kushtetuese për të interpretuar Kushtetutën.

Gazeta Blic: Sërish, Gjykata Kushtetuese.

Ambasadori Kosnett: Për këtë arsye ekziston Gjykata Kushtetuese, por… Jo, jo, ajo që po përpiqesha ta thoja…

Gazeta Blic: Por, po sillet si partia më e madhe politike në Kosovë. Gjykata Kushtetuese.

Ambasadori Kosnett: Astrit, dua të them se Gjykata Kushtetuese ekziston për të interpretuar Kushtetutën në formën e saj të sotme. Jo, që ta modifikojë atë. E kemi të njëjtin diskutim edhe në vendin tim. Roli i Gjykatës sonë Supreme është për të interpretuar Kushtetutën, por është roli i Kongresit për ta ndryshuar atë. Mirë? Pra, e njëjta gjë vlen edhe këtu. Nëse Kuvendi në ndonjë çast dëshiron ta ndryshojë Kushtetutën, për ta bërë atë më të qartë, për ta bërë më pak dykuptimëshe dhe nëse kjo është ajo që populli i Kosovës, përmes përfaqësuesve të zgjedhur e do, atëherë kjo është rrjedhë legjitime e veprimit.

Gazeta Blic: Faleminderit shumë, z. ambasador. Të kthehemi pak te dialogu. A pritni çfarëdo marrëveshje përfundimtare politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë këtë vit?
Ambasadori Kosnett: “Pres” është fjalë e fortë. Shpresoj që këtë vit do të ketë përtëritje të përpjekjeve për arritje të përparimit në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Për këtë do të duhen përpjekje të bashkërenditura nga qeveritë e Kosovës dhe Serbisë duke respektuar dëshirat e popullit të tyre. Mendoj se ekziston mundësia për Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian për të forcuar bashkëpunimin tonë në këtë aspekt. Nuk është fshehtësi që presidenti Biden dhe zyrtarët e tjerë në ardhje kanë thënë se pjesë kryesore e politikës amerikane nën administratën e Biden-it do të jetë forcimi i bashkëpunimit dhe konsultimeve me aleatët dhe partnerët tanë. Pra, mendoj se mund të shohim disa ndryshime në qasjen ndaj dialogut, por arritja e përparimit për këtë do të jetë e rëndësishme për të gjithë ne. Diçka që është e qartë prej disa ditëve të para të administratës së Biden-it është se po përpiqen të punojnë shpejt në shumë fronte. Ka shumë sfida të brendshme, ka shumë sfida në arenën ndërkombëtare, por mendoj se presidenti Biden e kupton Ballkanin shumë mirë dhe sigurisht ai ka marrëdhënie të ngushtë me popullin e Kosovës. Pra, të paktën pres që do të kemi përparim këtë vit.

Gazeta Blic: A do të thotë kjo që ShBA-ja do t’ia lë Bashkimit Evropian rolin udhëheqës në dialogun Kosovë-Serbi?

Ambasadori Kosnett: Nuk jam i sigurt nëse ‘roli udhëheqës’ është mënyra më e mirë për ta shprehur këtë. Mendoj se ka mundësi për bashkëpunim të ngushtë me Bashkimin Evropian dhe nuk do të spekuloj përtej kësaj. Mendoj se ky është vit shumë i rëndësishëm për demokracinë e Kosovës dhe për marrëdhëniet e Kosovës me fqinjët e saj. Është me rëndësi që të flasim me njëri-tjetrin, që ShBA-ja dhe evropianët të flasin me njëri-tjetrin, që të gjithë të angazhohemi ngushtë me Kosovën dhe Serbinë. E lidhur me këtë, dhe e kam thënë këtë qe disa vite, mendoj që kur negociatorët e Kosovës të ulen përballë palës serbe, është me rëndësi që ata do të pasqyrojnë këndvështrimet e gjera të popullit të Kosovës, jo vetëm të ndonjë partie politike të caktuar. Prandaj, shpresoj që çfarëdo qeverie e Kosovës të dalë pas zgjedhjeve, ajo do angazhohet gjerësisht dhe do të konsultohet me partitë e tjera politike, me shoqërinë civile, ashtu që të gjithë të kuptojnë se po e përfaqësojnë Kosovën. Më lejoni ta shfrytëzoj mundësinë të them edhe diçka: ende dëgjoj njerëzit duke folur thuaja se e dinë cili është qëllimi i Amerikës për Kosovën. Ata thonë: oh, amerikanët kurrë nuk do ta pranojnë një qeveri në Kosovë që përfshin këtë parti apo atë parti. E vetëm dëshiroj ta theksoj dhe do të vazhdoj ta përsëris këtë: Shtetet e Bashkuara do të respektojnë dhe do të punojnë me çdo qeveri që është e zgjedhur në mënyrë demokratike dhe e formuar në mënyrë kushtetuese. Ideja se janë disa parti me të cilat amerikanët do të refuzojnë të punojnë, thjeshtë nuk është e vërtetë. Kemi më shumë respekt se aq për popullin e Kosovës dhe procesin demokratik.

Gazeta Blic: Faleminderit për këtë porosi të mirë dhe që iu përgjigjët edhe pyetjeve që nuk ua shtrova. Por, kjo ishte shumë e mirë. Z. ambasador, a keni ndonjë porosi tjetër për popullin e Kosovës?

Ambasadori Kosnett: Kam respekt të jashtëzakonshëm për popullin e Kosovës dhe mendoj se është thelbësore që çdo qytetar të kuptojë që të gjithë kanë përgjegjësi për demokracinë dhe nuk është diçka që mund ta mbrosh duke votuar herë pas here. Mendoj se njerëzit duhet të bëjnë që t’ju dëgjohet zëri dhe që nëse kanë pyetje për prijësit e tyre politikë se si do ta bëjnë të ardhmen më të mirë, nëse kanë pyetje për partitë politike, atëherë ata duhet t’i shtrojnë ato pyetje. Në Shtetet e Bashkuara e pamë se demokracia është e brishtë, gjithmonë sulmohet. Dhe pika ime e fundit, është me rëndësi që njerëzit në mënyrë aktive kërkojnë burime të ndryshme të informimit. Mos i besoni gjësë së parë që e dëgjoni. Duhet punë dhe duhet medie aktive të pavarura, siç e ka Kosova, për t’ju dhënë njerëzve burime të ndryshme të informimit.

Gazeta Blic: I përmendët mediat e pavarura dhe javën e kaluar pamë ankesa dhe bojkot nga ana e partive politike ndaj disa mediave të pavarura. PDK-ja dhe LDK-ja kanë probleme me Dukagjinin, kurse Vetëvendosje ka probleme me TV7. Si i shihni këto gjëra?

Ambasadori Kosnett: Më lejoni që të flas për Shtetet e Bashkuara më me dëshirë se sa për Kosovën. Mendoj se në ShBA, përderisa numri i mediave u rrit dhe shumë prej tyre kanë këndvështrim të qartë politik, pati prirje nga njerëzit që të informohen vetëm nga një portal mediatik, nga ai që e ushqen pikëpamjen dhe botëkuptimin e tyre. Kështu, disa njerëz do të dëgjojnë një stacion televiziv të së djathtës ose një uebfaqe të së majtës dhe nuk dëgjojnë asnjë pikëpamje tjetër. Mendoj se kjo e ka ushqyer polarizimin në Shtetet e Bashkuara dhe në vendet e tjera gjithashtu. Prandaj, është me rëndësi që njerëzit të informohen nga burime të ndryshme. Është një shprehje, e ju si gazetar me siguri e dini, që thotë: “gënjeshtra e përshkon dy herë botën derisa e vërteta ende nuk është mbathur”. Në Shtetet e Bashkuara e kemi parë rrezikun kur njerëzit përsëritin të njëjtat gënjeshtra pandalur dhe kështu, njerëz që përndryshe janë njerëz të ndershëm e të mirë bien viktimë e tyre. Pra, në treg duhet të ketë konkurrencë të ideve, duhet të ketë llojshmëri të burimeve të informimit, por nëse njerëzit si individë kërkojnë vetëm komoditetin e të dëgjuarit të një këndvështrimi, atëherë kjo nuk do të forcojë demokracinë në asnjë vend.

Gazeta Blic: Faleminderit shumë, z. ambasador.

Ambasadori Kosnett: Faleminderit shumë, Astrit. Ishte kënaqësi.