Cult

Instituti Albanologjik së shpejti nën llupën e Integra-s, në radhë edhe institucionet e tjera publike

03/13/2019 15:52
nga:FL.B

Gili Hoxhaj

Pas publikimit të raportit “Kriza në Akademi: Vlerësim i Shoqërisë Civile për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës”, që ka pasqyruar gjendjen në Akademinë e Shkencave dhe Arteve në Kosovë e është përcjellë me goxha zhurmë, tashmë Integra në bashkëpunim me KFOS-in veçse kanë filluar hapat për vlerësimin dhe shqyrtimin e punës së Institutit Albanologjik të Kosovës. Kjo bazuar në faktin se Integra i ka vlerësuar si institucione vitale për shoqërinë dhe përmes rekomandimeve do t’u shërbejë edhe atyre në misionin që kanë.

Në rrjedhën e angazhimit të organizatës Integra për vlerësim të institucioneve të heshtura, kjo organizatë ka iniciuar për herë të parë një proces rishikimi dhe reflektimi mbi punën e Institutit Albanologjik, si një nga institucionet kryesore të financuara nga shteti. Përmes punës hulumtuese, duke informuar, zhvilluar dhe ofruar aktivitete efektive të bazuara në evidencë, Integra në bashkëpunim me KFOS-in dhe Shkëlzen Gashin si konsulent, synojnë të nxisin dialog publik dhe angazhim për rëndësinë e parimeve të transparencës. Kjo iniciativë ka ardhur bazuar në faktin se Institutit Albanologjik dhe një serë institucionesh të tjera publike janë vlerësuar si institucione që deri tash janë kursyer filtrave monitorues dhe cilësohen si më të kufizuara në raport me përgjegjësinë që kanë ndaj publikut.

Ne si Integra në bashkëpunim me KFOS-in dhe Shkëlzen Gashin si konsulent tanimë veç jemi në fazat finale të gjenezës për ta realizuar një vlerësim për Institutin Albanologjik të Kosovës”, shpjegoi fillimisht regjisori dhe drejtori ekzekutiv i Integra-s Kushtrim Koliqi.

Shkëlzen Gashi dhe Kushtrim Koliqi gjatë prezantimit të raportit për AShAK-un në KTV

Regjisori dhe drejtuesi i Integra-s, Kushtrim Koliqi tutje tha se puna e monitorimit të IAK-ut është e konceptuar në tri faza, ku faza e parë është vlerësimi për institucionin, pastaj do të vazhdohet me takime avokuese që fillimisht bëhen me institucionin që vlerësohet, për ta vazhduar në takime me institucionet përgjegjëse që lidhen me këtë institucion, kurse krejt në fund vazhdohet me dialog publik që i tregon publikut për punën e institucionit të vlerësuar.

Jam i lumtur që Integra është profilizuar në këtë lloj të punës së vet si detyrë e Shoqërisë Civile dhe besoj që impaktin që kemi pasur me AShAK-un do ta kemi edhe me Institutin Albanologjik, ekipa përbëhet nga njerëz kredibil dhe kështu do të vazhdojmë punën. Shumë shpesh në Kosovë bëhen hulumtime të cilat mbesin aty, e jona është që të zhvillojmë hulumtime dhe me ato të gjetura të zhvillohen aktivitete të tjera siç janë takimet avokuese ku do të takohemi me dhjetëra njerëz dhe institucione të tjera që kanë të bëjnë me këtë institucion dhe me politikëbëresit, me njerëzit që e ndajnë buxhetin dhe me institucione të huaja ndërkombëtare që kanë investuar në Kosovë që këto institucione të jenë të pavarura”, shpjegoi Koliqi për KultPlus.

Kushtrim Koliqi/ regjisor dhe Drejtor Ekzekutiv i Integra-s

Edhe pse tashmë në adresën e Integra-s kanë qarkulluar mjaft kritika për Instututin Albanologjik të Kosovës, Koliqi insiston që këtë proces të hulumtimit ta fillojnë pa asnjë paragjykim.

“Ndoshta do të befasohemi për të mirë, ndoshta do të gjejmë diçka edhe më të keqe që nuk e kemi paramenduar. Gjithçka çfarë ne do të publikojmë do ta bazojmë në fakte dhe hulumtim”, thekson Kushtrim Koliqi.

Arsyeja pse Integra do të fokusohet në një hulumtim shumë të thellë për këtë raport është se beson në specifikat e secilit institucion, andaj dhe problematikat variojnë varësisht prej institucionit.

“Problematikat që i ka Akademia e Shkencave apo Institutit Albanologjik, kështu që ne mundohemi që të gërmojmë sa më thellë që hulumtimi të jetë sa më preciz dhe rekomandimet të jenë sa më të sakta. Ne fillimisht e shikojmë ligjin e tyre, statutin, rregulloret e brendshme dhe e shohim se sa ata prodhojnë në kuadër të mandatit që ua ka përcaktuar ligji, statuti apo rregullorja specifike”, shpjegoi tutje udhëheqësi i Integra-s.

Institucionet e tjera publike që Integra synon t’i ‘zgjojë’ nga zona e rehatisë

Janë një serë institucionesh të tjera të cilat “Integra” i ka vlerësuar si të heshtura e që funksionojnë në botë të tyre pa ndjenjën e përgjegjësisë dhe transparencës. Institucionet të cilat kjo organizatë synon t’i ‘zgjojë’ nga zona e rehatisë pas Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës e Institutit Albanologjik të Kosovës janë: Teatri Kombëtar i Kosovës, Radio Televizioni i Kosovës, Instituti Kosovar i Historisë, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Universiteti i Prishtinës, Muzeu i Kosovës etj.

Është mirë që secili institucion (të cilin ne mendojmë t’ua bëjmë një lloj skanimi) të mos na shohin si armiq në një far forme si partnerë që në mënyrë metodologjike po u benë një skanim të punës së tyre, të ligjeve, rregulloreve, veprimtarisë së tyre e që rezultojnë me rekomandime që janë dashamirëse”, tha Koliqi për KultPlus.

Kushtrim Koliqi tutje ka treguar se këtë iniciativë e kanë marrë duke bazuar në atë se këto institucione, pavarësisht që financohen nga fondet publike, ato kurrë nuk kanë kaluar përmes ndonjë iniciative monitorimi ose vlerësimi nga Qeveria apo Parlamenti, e as nga organizatat e Shoqërisë Civile. Ai thotë se kjo gjendje ka krijuar një klimë të perceptimit se këto institucione kanë krijuar “ishujt e tyre”, të cilët pavarësisht faktit se shpenzojnë fonde publike, janë të izoluar sa i përket transparencës dhe përgjegjësisë ndaj publikut.

Ideja e Integra-s për të realizuar vlerësime për institucione publike bazohet në faktin se ka shumë institucione publike edhe qeveritare, nacionale dhe lokale që jetojnë si në “ishuj” që nuk japin askujt llogari për punën e tyre dhe në të njëjtën kohë janë shfrytëzues masiv të fondeve publike. Kemi filluar me AShAK-un si institucioni emblemë i këtij tipi dhe do të vazhdojmë institucione të tjera të cilat ne mendojmë që është mirë t’ua bëjmë një rishikim, vlerësim në bazë të cilave dalim me rekomandime konkrete se si ata duhet t’i përmirësojnë aspekte të ndryshme të institucioneve të tyre”, tha Koliqi, i cili tutje shpjegoi se rekomandimet lidhen edhe me institucione të tjera të mëdha ndaj të cilave institucionet vartëse duhet të jenë llogaridhënëse. Pas publikimit raportit “Kriza në akademi”, AShAK-u vitin e kaluar ishte detyruar për herë të parë të raportojë në Komisionin për Arsim në Kuvendin e Kosovës, pasi që raporti tregonte se ndonëse ligjërisht AShAK-u është i obliguar t’i raportojë Kuvendit të Kosovës për punën e vet, kjo gjë nuk kishte ndodhur.

Në një farë formë bëjmë rekomandime, jo vetëm për institucionin që ne e vlerësojmë por edhe institucionet e tjera që kanë një farë rëndësie dhe kanë përgjegjësi për institucionet e tjera vartëse”, u shpreh Koliqi.

Koliqi u shpreh se ideja e tyre nuk është vetëm të nxjerrin raporte dhe hulumtime, por ata synojnë që këtyre institucioneve dhe të tjerave t’u kthehen edhe pas disa vitesh, për të parë se sa ka ndryshuar gjendja në ato institucione.

Raporti vlerësues për punën e Institutit Albanologjik të Kosovës pritet të përfundohet në pjesën e dytë të vitit./KultPlus.com

05/25/2019 10:59

Zharku tregon për herë të parë se me kë kishte ikur nga Kosova në Suedi