Astrit Gashi - Gazeta Blik
Opinion

Iniciativa “historike” e Opozitës për përjashtimin e Thaçit nga finalja me Serbinë dhe dy faktorët që e minojnë!

04/30/2018 14:25
nga:Astrit Gashi
  • Arsye që opozita e prirë nga LDK ngulmon në këtë, është, pikësëpari, mosbesimi i fuqishëm i tyre ndaj Presidentit dhe lëshimeve të dëmshme që frikësohen se mund t’i bëjë ai.
  • Presidenti i Kosovës, nuk do lë gur pa lëvizur, përmes njohurive direkte si dhe përmes lobimit, për të fortifikuar bindjen te miqtë ndërkombëtarë se, një marrëveshje me Serbinë, do jetë e mundur dhe e vlefshme vetëm kur udhëhiqet nga ai.
  • Për Thaçin, duket se, tashmë, është e tejkaluar ambicia për të qenë i shënuar vetëm si Kryeministër e President, atë edhe mund t’ia lë për ndonjë xhiro cilitdo, por, si një ish-student i Historisë, duket se preokupim jetësor të tij, tashmë, ka që ai vetë të jetë ‘Historia e Kosovës’.
  • Lojërat e pazaret, ndërkaq, Thaçi i bënë më së miri, sepse, edhe jep ofertën që nuk mund të refuzohet nga LDK dhe, jo vetëm ajo, por, përjashto VV-në, të gjitha partitë tjera, në një moment apo tjetrin, nuk kanë pasur zemër për të thënë jo.

Shkruan: Astrit Gashi

E prirë nga LDK-ja, opozita pritet të ndërmarrë një seri veprimesh, të cilat kanë për qëllim të pamundësojnë që Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të marrë përsipër udhëheqjen e dialogut, por, këto veprime, rrezikohen të minohen nga të paktën dy pengesa të fuqishme.

Nën udhëheqjen e deputetes më të votuar në Kosovë, Vjosa Osmanit, është LDK, e cila është angazhuar të tubojë opozitën dhe jo vetëm atë, drejt krijimit të një kornize, e cila do të pamundësonte që Hashim Thaçi të marrë përsipër dialogun me Serbinë, apo që në çfardo mënyre, të jetë i përfshirë në vendimarrje për të. Kjo iniciativë duket se do të ketë përkrahjen e menjëhershme të deputetëve të Vetëvendosjes, por, ajo, mund të gjejë përkrahje edhe tek ata të Grupit të Pavarur të Deputetëve nga radhët e opozitës si dhe, potencialisht, nga Nisma që është në Qeveri, e Kryetari i së cilës, Fatmir Limaj, para disa ditësh, deklaroi kundër udhëheqjes së negociatave nga Presidenti.

Veprimi i parë opozitarë, duket se do të jetë kur Qeveria e Kosovës të procedojë në Kuvend, Ligjin e ri, që bartë dialogun me Serbinë te Presidenti. Ligji, përveç kësaj, me gjasë, do të mundësojë edhe krijimin e një ‘Grupi të Unitetit’, një ide kjo e kamotshme e Hashim Thaçit, të cilën, tash, po e proklamojnë si të tyre disa parti parlamentare.

Pritjet janë, që brenda këtij viti, Kosova dhe Serbia, të arrijnë një Marrëveshje të re, e cila neve do të na mundësonte anëtarësimin në organizata ndërkombëtare si OKB, ndërsa fqinjit tonë, anëtarësimin në Bashkimin Evropian, pa qenë pengesë ndaj njëra- tjetrës. Përmbajtja e kësaj Marrëveshjeje është ende e hapur dhe, me shumë rreziqe për vendin tonë. Por, një gjë duket se, tashmë, është përjashtuar tërësisht nga tryeza, e ajo është ndarja e Kosovës si dhe ndryshimin e kufijve aktual në Ballkan. Mbi Kosovën, ende qëndrojnë rreziqet për një zgjidhje në formë autonomie për veriun dhe një bosnjëzim që do ta bënte shtetin të paqeverisshëm nga brenda dhe vatër të përhershëm të konfliktit.

Kjo çështje, prandaj, edhe është e ndjeshme për të gjithë aktorët politik të Kosovës, përfshirë këtu edhe opozitën.

Opozita, e kryesuar nga Osmani, së pari do të përpiqet që përmes deputetëve të Kuvendit, të pamundësojë që Ligji i propozuar nga Qeveria të arrijë 61 vota të deputetëve të Kuvendit. Nëse ky hap do të jetë i suksesshëm, atëherë, opozita shpreson se do të arrijë të krijojë një platformë të re të bisedimeve, në të cilën do të ketë përfshirje nga i gjithë spektri politik, por që do ta mbante të përjashtuar nga procesi Presidentin e vendit.

Arsye që opozita e prirë nga LDK ngulmon në këtë, është, pikësëpari, mosbesimi i fuqishëm i tyre ndaj Presidentit dhe lëshimeve të dëmshme që frikësohen se mund t’i bëjë ai si dhe, nga vullneti i mirë që edhe ata të angazhohen në finalen e ndarjes me Serbinë, e cila ka qenë edhe një kërkesë që shtetet mike e kanë paraqitur në drejtim të tyre.

Kjo iniciativë, që nuk është tërësisht e parealizueshme në dukje të parë, ka dy pengesa të fuqishme që e bëjnë punë shumë të vështirë, në mos të pamundur, realizimin e saj.

Pengesa e parë dhe shumë e fuqishme është vetë Presidenti Hashim Thaçi. Jo vetëm për arsye karrieriste të politikës ditore, por, edhe për shkak të dëshirës së papërmbajtur për të qenë kryesori në historinë e Kosovës. Hashim Thaçi, dëshiron që, me çdo kusht, të ketë nënshkrimin në dokumentin final të ndarjes me Serbinë. Thaçi, që ka lexuar edhe Deklaratën e Pavarësisë dhe, më parë, edhe nënshkruar Marrëveshjen e Rambujes (Rambouilliet), bashkë edhe me këtë nënshkrim, do të shndërrohej në politikanin, të cilin do ta shënonte historia si kryesorin, në mos të vetmin, në krijimin e shtetit të Kosovës.

Për Thaçin, duket se, tashmë, është e tejkaluar ambicia për të qenë i shënuar vetëm si Kryeministër e President, atë edhe mund t’ia lë për ndonjë xhiro cilitdo, por, si një ish-student i Historisë, duket se preokupim jetësor të tij, tashmë, ka që ai vetë të jetë ‘Historia e Kosovës’ dhe për të realizuar këtë, nuk mund të pritet nga ai që të jetë i mëshirshëm, ndaj çdo pengese.

Me këtë mision historik që Thaçi i ka dhënë vetes, ai, jo vetëm që është i gatshëm që Finalen e dialogut me Serbinë ta ndajë si organizim me të tjerët, por, edhe që të siguroj gjithëpërfshirje si dhe, kulaç për secilin, por, me kushtin që ai të jetë personi, që në fund pret tortën. Me një fjalë, Thaçi është i gatshëm të iniciojë, apo pranojë një ‘Ekip Uniteti’ të ri, ku do të përfshihej opozita, me theks kryesor LDK, si dhe shoqëria civile dhe, madje, edhe që udhëheqjen e tij t’ia ofrojë dikujt nga këto dy grupet e fundit, me kusht që marrëveshja finale të jetë e nënshkruar nga ai. Thaçi, pra, jo vetëm që nuk do të mirëpret, por, edhe do ta luftojë me tërë arsenalin që ka në dispozicion, e ai është shumë i fuqishëm, për të mos lejuar përjashtimin e tij nga roli i madh në këtë proces.

Presidenti i Kosovës, së pari, nuk do lë gur pa lëvizur, përmes njohurive direkte si dhe përmes lobimit, për të fortifikuar bindjen, tashmë ekzistuese, te miqtë e fuqishëm ndërkombëtarë se, një marrëveshje me Serbinë, do jetë e mundur dhe e vlefshme vetëm kur udhëhiqet nga ai.

Së dyti, përvoja e tij në politikë, aftësia menaxhuese e blerëse, është shumë e fuqishme për të korruptuar dhe, kështu, minuar krijimin e një shumice në Parlament, që e përjashton atë nga procesi.

Lëvizja e parë e tij do të jetë e orientuar kah LDK dhe prishja e konsensusit brenda saj, për të kërkuar maksimumin – përjashtimin e tij nga bisedimet dhe duke i joshur për të mundshmen, kyçjen, edhe potencialisht, udhëheqjen e ‘Grupit Negociues’ apo ‘Grupit të Unitetit’. Vetë deklaratat e nënkryetarëve të LDK-së, Lutfi Hazirit dhe Agim Veliut dhe, qëndrimi i saj si parti se, pas demarkacionit, LDK , nuk do të ketë votë pa kompensim, e thënë ende pa nisur gjë, ngjanë më shumë si një ftesë për pazar pozicionesh të përfshirjes, sesa përcaktim për të përjashtuar Thaçin nga procesi.

Lojërat e pazaret, ndërkaq, Thaçi i bënë më së miri, sepse, edhe jep ofertën që nuk mund të refuzohet nga LDK dhe, jo vetëm ajo, por, përjashto VV-në, të gjitha partitë tjera, në një moment apo tjetrin, nuk kanë pasur zemër për të thënë jo. E them me plot argument se, këtyre ofertave, deri më sot, më së shumti i është përgjigjur pozitivisht LDK, meqenëse tri herë kishte qeverisur me të, ndërsa, më së shumti i kishte ikur AAK, por, edhe ajo, e pranoi një të tillë, pranverën e kaluar. Nga perspektiva e sotme, është zor për të besuar se LDK, kësaj radhe, do të veprojë ndryshe dhe se, AAK, do të ndryshojë pozicionin brenda një pranvere. Partitë tjera si AKR, do të jenë punë e lehtë, ndërsa, Nisma, përkundër dëshirës së Limajt për t’i dhënë goditjen e fundit Thaçit, do të ketë pak rëndësi se ku pozicionohet, sepse, me numra, opozita mund të jetë e thyer, me apo pa të.

Thënë të gjitha këto, nuk nënkupton që misioni i opozitës është i pamundur, por se, ai, do të jetë i ballafaquar me pengesa të mëdha. Nëse opozita do të realizonte synimin e deklaruar për të përjashtuar Thaçin nga marrëveshja me Serbinë, ajo do të nënkuptonte goditjen më të madhe historike ndaj politikanit më me përvojë në vend dhe defaktorizimin më të madh të tij në historinë politike të Kosovës, pasi që doli fitimtar treçerekësh nga Demarkacioni. Prandaj, edhe suksesi i tij, nuk do të jetë i lehtë, sepse, përballë do ta ketë një mision tjetër historik, atë të Hashim Thaçit.

08/21/2018 09:20

Thaçi viziton BIK-un: Kosova është dhe do të mbetet tolerante ndaj besimeve