Lajme

Infeksionet e syrit: Simptomat, shkaqet dhe trajtimi efektiv – Oftalmologu Hajdari jep detaje

06/17/2024 17:17
nga:N K

Infeksioni i syve është një gjendje e shkaktuar nga mikroorganizma që prekin pjesë të ndryshme të syrit. Gjatë sezonës së alergjive, infeksionet e syve mund të përkeqësohen, pasi alergjenët rrisin irritimin dhe e bëjnë syrin më të ndjeshëm ndaj infeksioneve.

Lidhur me këtë çështje, në një prononcim për GazetaBlic, u deklarua oftalmologu Arsim Hajdari, i cili tregoi se shenjat e infeksioneve të syve janë të ndryshme, duke filluar që nga skuqja e syve në brendësi të tyre.

“Shenjat e infeksoneve në sy janë përfshijnë disa nga më të ndryshme si lotimi, skuqja në brendësi të tyre, djegia dhe sekretimi”, deklaroi ai.

Ai tregon edhe ndikimin e infeksioneve të syrit në dobësimin e shikimit, nivelin dhe kohëzgjatjen e tyre.

“Varësisht nga niveli i infeksionit dhe kohëzgjatja e tij, ndikon edhe shikimi apo dobësimi i të parit që ndonjëherë mund të jetë edhe i pakthyeshëm. Kjo nënkupton që varësisht nga pjesa e infektuar e syrit, kemi edhe nivelin e dobësimit”, tha ai.

Po ashtu, Hajdari flet për infeksionet më të shpeshta të shfaqura tek syri i njeriut dhe që sipas tij shpesh janë si rezultat i kontaktit nga jashtë.

“Infeksionet më të shpeshta te syri i njeriut janë konjuktivet për arsye të ndryshme si bakteriale, virale dhe parazitare. Këto infeksione shpesh janë si rezultat i kontaktit direkt me agjensat e jashtëm me këtë pjesë të syrit”, u shpreh ai.

Hajdari thotë moshat e prekura nga infeksionet e syrit janë nga fëmijët deri tek të moshuarit, mirëpo sipas tij, fëmijët kanë gjasa më të mëdha shkak i ambienteve të përbashkëta.

“Moshat e prekura nga infeksionet e syrit përfshijnë që nga fëmijët deri tek të moshuarit, me fëmijët që kanë një gjasë më të madhe për shkak të vendeve të përbashkëta si shkollat, kopshtet dhe pishinat”, theksoi oftalmologu.

“Ndërsa, stinët e viti ndikojnë në përhapjen e infeksioneve të syrit, pasi periudhat me alergjenë të shumtë rrisin mundësinë e infektimit te pacientët me alergji”, vazhdoi tutje ai.

Krejt në fund, oftalmologu Hajdari përmend trajtimin efektiv për të parandaluar infeksionet e syrit në shikim.

“Trajtimi i infeksioneve të syrit zakonisht zgjatë 7-10 ditë dhe përfshin përdorimin e pikave për sy dhe pastrim të shpeshtë. Për të parandaluar përhapjen e infeksioneve, është e rëndësishme të ruhet higjena dhe të shmangen kontaktet e drejtpërdrejta me agjentët infektues”, përfundoi oftalmologu Arsim Hajdari.

/GazetaBlic/