Cult

Ilir Meta vlerëson shtëpinë botuese “Buzuku” me titullin “Naim Frashëri”

10/14/2020 16:53
nga:Y I

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, e ka vlerësuar Shtëpisë Botuese “Buzuku” titullin “Naim Frashëri”, shkruan Gazeta Blic.

Meta në fjalën e tij para të pranishmëve  ka theksuar se tre dekada më parë në kushtet tejet të rënda të aparteidit serb, lindi në Prishtinë, Shtëpia Botuese “Buzuku”, e para e pavarur në krejt hapësirën ku flitet shqip.

Meta e konsideruar nismën e krijimit të kësaj shtëpie botuese të guximshme dhe të dobishme për kohën.

“Kjo nismë sa e dobishme, aq edhe e guximshme për kohën, lidhet me emrin e Abdullah Zenelit, i cili vinte nga shkolla e të mirënjohurës “Rilindja”.“Buzuku” po hynte në jetën shpirtërore të shqiptarëve për të bërë histori me botimin e shumë veprave artistike e historike të elitës intelektuale, duke paraqitur identitetin, kulturën, shpirtin krijues të kombit dhe vlerave të qytetërimit shqiptar”

Ai ka shtuar se është fakt që sot ne kemi në bibliotekat tona kontributin e çmuar të “Buzukut” për promovimin e shumë thesareve të letërsisë tonë të traditës dhe asaj bashkëkohore.

Sipas tij kjo punë e madhe dhe në kushte shumë të vështira në shërbim të kulturës shqiptare si një e tërë, përtej ndasisë së kufijve shtetërorë, e vendos Abdullah Zenelin dhe ekipin e “Buzukut” në trashëgiminë frymëzuese të Rilindjes sonë.

Postimi i plotë i Ilir Metës:

Tre dekada më parë, në kushtet tejet të rënda të aparteidit serb, lindi në Prishtinë, Shtëpia Botuese ‘Buzuku’, e para e pavarur në krejt hapësirën ku flitet shqip.
Kjo nismë sa e dobishme, aq edhe e guximshme për kohën, lidhet me emrin e Abdullah Zenelit, i cili vinte nga shkolla e të mirënjohurës “Rilindja”.
“Buzuku” po hynte në jetën shpirtërore të shqiptarëve për të bërë histori me botimin e shumë veprave artistike e historike të elitës intelektuale, duke paraqitur identitetin, kulturën, shpirtin krijues të kombit dhe vlerave të qytetërimit shqiptar.
Është fakt se ne kemi sot në bibliotekat tona kontributin e çmuar të “Buzukut” për promovimin e shumë thesareve të letërsisë tonë të traditës dhe asaj bashkëkohore.
Një faqe veçanërisht e merituar në veprimtarinë botuese të ‘Buzukut’ shënohet me gjurmimin dhe nxjerrjen në dritë të shkrimtarëve shqiptarë, si në Prishtinë edhe në Tiranë, të mohuar me dekada nga censura politike për shkak të ideve të tyre.
Kjo punë e madhe dhe në kushte shumë të vështira në shërbim të kulturës shqiptare si një e tërë, përtej ndasisë së kufijve shtetërorë, e vendos z.Abdullah Zenelin dhe ekipin e ‘Buzukut’ në trashëgiminë frymëzuese të Rilindjes sonë Kombëtare.
I lumtur që në vlerësim të këtij kontributi të vyer të çmoja sot Shtëpinë Botuese ‘Buzuku’ me Titullin “Naim Frashëri”. 🇦🇱❤️🇽🇰