• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Ibrahimi: Nga komunat s’ka pasur pakënaqësi më të mëdha se për Qeverinë Kurti – kontrata kolektive problemi kryesor

07/13/2025 09:10
nga:G B

Ankesa për mënyrën e trajtimit nga Qeveria Kurti gjatë këtij mandati ka pothuajse nga të gjitha komunat e Kosovës.

Qasje jo e barabartë e nivelit qendror është vërejtur te komunat që nuk udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, për Expose thotë se që nga paslufta, për asnjë qeveri nuk ka pasur më shumë pakënaqësi se sa për Qeverinë Kurti, nga komunat e Kosovës.

“Deri më tani, në asnjë qeveri të Republikës së Kosovës që nga paslufta, që nga koha e Bajram Rexhepit, shumica e kryetarëve të komunave deklarohen se bashkëpunimi ka qenë minimal, vetëm në Qeverinë Kurti, shumica nuk janë të kënaqur në bashkëpunim. Janë shumë argumente se përse dalim me këto qëndrime. Që nga fillimi i qeverisjes Kurti 2 por edhe Kurti 1, të gjitha sugjerimet, kërkesat, rekomandimet, e kryetarëve të komunave në takimet e ndryshme që janë zhvilluar me kryeministrin Kurti, me ministrat e qeverisë, nuk janë marrë parasysh, asnjë. Gjithashtu, në anën tjetër ka pasur tendencë për marrjen e mjeteve financiare nga komunat, mjete të cilat janë të garantuara me legjislacionin në fuqi, pra ka qenë tendencë e ministrit Murati, që t’ia marrë mjetet e pashpenzuara nga të hyrat vetanake, ku me legjislacionin në fuqi, lejohet bartja e mjeteve nga viti në vit, sepse gjatë vitit, në tetor, nëntor, dhjetor, mërgata kthehet në Kosovë dhe i bën pagesat e tatimit në pronë dhe ato nuk mund të planifikohen të shpenzohen brenda atij viti dhe për këtë arsye kur e kemi hartuar ligjin në atë kohë për financat lokale, është thënë që bartja e mjeteve të pashpenzuara vetanake mund të bartet nga viti në vit”, ka thënë Ibrahimi.

Ai ka numëruar problemet kryesore të bashkëpunimit të nivelit qendror me nivelin lokal, teksa përmend tatimin në pronë, grantin 4 e pabarazinë në ndarje buxhetore

“Problemi tjetër ka qenë nga aspekti ligjor. Kërkesat e komunave kanë qenë që të amandamentohen disa ligje të cilat kanë prekur kompetencat e komunave po edhe lejimin apo eliminimin e disa proceseve burokratike brenda legjislacionit ekzistues. Duke marrë parasysh që shumica e kryetarëve kanë konstatuar se ka pabarazi në ndarjet buxhetore që vijnë nga ministritë e linjës kundruall komunave, kryetarët e komunave përmes Asociacionit kanë kërkuar që të amandamentohet ligji për financa lokale ku në kuadër të atij ligji të futet granti i 4 për investime kapitale në mënyrë që komunat të trajtohen në mënyrë të barabartë. Problemi tjetër është që niveli qendror ka dashur gjithmonë t’ia gjuajë fajin nivelit lokal për disa procese, një ndër to ka qenë ngritja e fatura të tatimit në pronë, pas rivlerësimit që është bërë prona e qytetarëve nga ministria e financave. Kur ka pasur reagim qytetar, qeveria fajin është munduar t’ua lë komunave por fajin e ka pasur qeveria pasi është përgjegjëse për vlerësim të pronave”, ka theksuar ai.

Problemi kryesor sipas Ibrahimit është kontrata kolektive.

“Problemi tjetër kryesor i mos bashkëpunimit total të nivelit qendror me nivelin lokal është kontrata kolektive, ku qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë hap që t’i ndihmojë komunat që të dalin nga ky kolaps financiar dhe nga të dhënat që i kemi, komuna u janë marrë padrejtësisht mbi 140 milionë euro”, ka potencuar ai për Expose.

Por, cilat komuna janë të prekura më shumë nga diskriminimi qeveritar? Sipas Sazan Ibrahimit, pakënaqësi ka nga të gjitha komunat, sidomos për kontratën kolektive, ku të gjithë kryetarët e komunave janë unik në kundërshtim.

“Shumica absolute e kryetarëve janë shumë të pakënaqur me bashkëpunimin me nivelin qendror”.

“Te kontrata kolektive e kemi zërin unik të të gjithë kryetarëve të komunave sepse kur e kemi diskutuar këtë me nivelin qendror dhe kur kemi kërkuar zgjidhje, nuk ka pasur asnjë kryetar të komunës, pa marrë parasysh përkatësinë politike, nuk kanë thënë “jo se mirë është puna”. Edhe komuna të VV-së u merren padrejtësisht miliona euro, 7, 8, 10 milionë. Hanit të Elezit vitin e kaluar i janë marrë 240 mijë euro. Këto çështje, pastaj të tjera si granti i 4 që është domosdoshmëri e të gjitha komunave, sepse komunat duhet të ndihen që trajtimin e kanë të barabartë dhe jo për disa komuna të sillet ndryshe e për shumicën absolute të sillet ndryshe”, ka deklaruar Ibrahimi.

Po ashtu, ai përmend një rast kur Komunës së Podujevës së udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje, i janë ndarë mjetet buxhetore më shumë se Prishtinës e Prizrenit bashkë.

“Në takimet që i kemi pasur me kryetarët e komunave, me kolegjiume të Asociacionit, shumica thonë se gjithë kjo ka konotacion politik, sepse ka ndodhur vitin e kaluar që një komunë e cila qeveriset nga Lëvizja Vetëvendosje, nga ministritë e linjës t’i ndahen mbi 100 euro për kokë banori, dhe komunave që nuk qeverisen nga VV, të shkojnë në një pikë 80 euro për kokë banori. Ka qenë një dallim jashtëzakonisht i madh. Për shembull kemi dhe analizën për ndarjen e buxhetit për vitin 2025, ku kemi një komunë që udhëhiqet nga VV, që i janë ndarë më shumë mjete se Komunës së Prishtinës dhe Prizrenit bashkë”, ka përfunduar Sazan Ibrahimi./Gazeta Blic/